Ardit Kërtusha është emëruar drejtor rajonal i Departamentit të Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve të OSHEE-së Durrës, në varësi të administratorit Ardian Çela, e krijuar nga USAID në bashkëpunim me ambasadën amerikane për të luftuar korrupsionin.
Lajmi është bëri i ditur nga kryetari i njësisë administrative nr.6 për qytetin bregdetar, Serjan Mazrreku përmes një postimi në Facebook.
"Urime miku im Ardit Kërtusha në pozicionin tënd të ri, Drejtor Rajonal i Departamentit të kontrollit dhe rikuperimit të humbjeve të OSSHE-së Durrës! Jam besimplote që do e drejtosh më së miri këtë institucion, suksese!" shkruan Mazrreku.
Kush është Ardit Kërtusha
28-vjeçari Ardit Kërtusha nuk është një emër i panjohur në PS-në e Durrësit. Për një mandat 4-vjeçar Kërtusha ka mbajtur postin e kryetarit të FRESSH Durrës si dhe postin e Drejtorit të Përgjithshëm pranë Këshillit të Qarkut Durrës për 5 vite me radhë. Prej tre vitesh ai është pedagog i jashtëm në universitetin "Aleksandër Moisiu" dhe atë të Prishtinës.
Çfarë është Departamenti i Kontrollit dhe Rekuperimit të Humbjeve
Departamenti i Kontrollit dhe Rekuperimit të Humbjeve themelohet si njësi e veçantë, e cila raporton tek Administratori i Shoqërisë. Qëllimi i krijimit të Departamentit është institucionalizimi i aktivitetit të kontrollit dhe rikuperimit të humbjeve, rritjes së të ardhurave, realizimin e kontrolleve efektive të konsumatorëve, trajnimi i duhur i stafit dhe pajisjen e tij me instrumentet e nevojshme për arritjen e qëllimit. Realizimi i analizave dhe në veçanti të leximit dhe faturimit do të mundësojë lokalizimin e humbjeve, ndërkaq që inspektimi dhe kontrolli i matësave të konsumatorëve, mënyrës së lidhjeve dhe instalimeve do të mundësojë zbulimin e humbjeve jo teknike. Përmirësimi i kontrolleve të brendshme do të rrisë disiplinën, efektivitetin dhe eficencën e punonjësve të Shoqërisë.





