Pushimet kalohen shumë bukur në Shqipëri, por çmimet, sidomos në jug, janë rritur ndjeshëm. Ky është perceptimi i shumë emigranëtëve shqiptarë, që u kthyen në Shqipëri për të kaluar pushimet e tashmë kanë ndërmarrë rrugën e kthimit në vendet e BE-së, ku jetojnë e punojnë prej vitesh.
Në portin e Durrësit prej ditësh tashmë ka nisur fluksi i pasagjerëve në dalje, pasi shqiptarët, por edhe shumë shtetas të huaj përdorin tragetet e linjës Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona për të udhëtuar drejt Italisë. Këtë fund gushti, të shumtë janë italianët që po rikthehen në atdhe pas pushimeve të kaluara në Shqipëri. Largohen nga vendi i shqiponjave me përshtypjet më të mira.
“Kaluam bukur, na mikpritën shumë mirë. Njerëzit të ndihmojnë shumë, ndërsa deti është shumë i bukur. Qëndruam vetëm 4 ditë, por ishin 4 ditë të kaluara bukur”.
“Vendosa unë që t’i kalonin pushimet në Shqipëri, sepse kam shumë miq shqiptarë. Më ka magjepsur përherë vendi juaj dhe doja ta vizitoja”.
“Nuk e mendoja kaq të zhvilluar si vend. Kam qenë këtu 15-20 vite përpara dhe e vë re qartë diferencën. E keni zhvilluar shumë turizmin, gjë që nuk e prisja. Pashë shumë njerëz, shumë lokale, më pëlqen si keni ecur përpara”.
“Sipas meje, çmimet ia vlejnë prandaj shumë të rinj italianë kanë ardhur për pushime këtu. Për të rinjtë është një destinacion shumë i bukur, pasi keni dhe detin.”
“Gjithçka më ka pëlqyer. Në krahasim me Italinë, çmimet janë të arsyeshme.”
“Kaluam shumë mirë. Njerëzit janë shumë të sjellshëm, të edukuar. Qëndruam vetëm 4 ditë, por ia vlejti”,- ishin shumë nga opinionet e shtetasve italianë dhënë për “DurrësLajm”.
Në 15 ditët e para të këtij muaji, në portin më të madh në vend janë regjistruar 120,810 pasagjerë në hyrje dhe dalje të kësaj pike kufitare, si dhe rreth 33 mijë automjete.
5 ditë të javës, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas kryejnë lundrime të dyfishta për të përballuar fluksin e udhëtarëve, që pritet të vazhdojë deri në dy javët e para të shtatorit.
M.B.