DURRËS, 30 gusht 2014 –  800 praktika emigrantësh janë përpunuar në periudhën njëmujore të pushimeve të gushtit, faktin e bën të ditur drejtori rajonal i ALUIZNI-t Durrës, avokat Flamur Gjuzi.

Më shumë se pushime në vendlindje, durrsakët që punojnë e jetojnë në perëndim, janë rropatur sa në  hipotekë (ZRPP – Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) sa në ALUIZNI-n e qarkut.

Punonjësit e institucionit nuk kanë shijuar pushimet e gushtit për të përballuar fluksin e rritur të numrit të aplikimeve nga emigrantët, 800 praktika të përfunduara në periudhën njëmujore.

Sipas kreut të ALUIZNI-t, avokatit Flamur Gjuzi, ka mospërputhje të hartës së  hipotekës që lëshon certifikatën e pronësisë dhe realitetit në terren.

Pavarësisht lehtësimit të procedurave, çështja e legalizimeve vazhdon të mbetet problem për emigrantët.

Disa prej tyre zvarriten prej vitesh për çështje dokumentacioni, duke qenë se ka edhe mbivendosje.

Sikurse është bërë e ditur ish-krerë të ALUIZNI-t të Durrësit janë paditur në prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/