Durrës, 20 prill 2014 – Kapiteni i tragetit "Bridge", prej nga u hodh 39-vjeçari, Gentian Peta zbardh për gazetën “Panorama” detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi rreth orës 09:00 të paradites së të shtunës. Thimos Sakos sqaroi se ekuipazhi është tronditur nga ngjarja, për më tepër që nuk mundën t’i shpëtonin jetën Gentian Petës. Ndër të tjera, kapiteni tregon momentin dhe përpjekjet për të shpëtuar 39-vjeçarin, i cili kthehej nga Gjermani pas tre vjetësh emigracion.

Kapiten, na tregoni diçka rreth ngjarjes…..

Ishim nisur si gjithnjë nga Italia. Deri në momentin e ngjarjes gjithçka ka shkuar për mrekulli. Në momentet që po i afroheshim bregut të Durrësit, rreth 12 milje larg, një prej pasagjerëve tanë u hodh pa paralajmërim në det.

Çfarë ndodhi konkretisht?

Ishte ora rreth 09:00, tridhjetë minuta nga mbërritja në Portin e Durrësit. Isha në drejtim të mjetit lundrues në kohën që ekuipazhi më lajmëroi se një prej pasagjerëve është hedhur në det. Menjëherë u bëra gati për të kryer manovrën, që të nisnim aksionin e kërkim-shpëtimit.

Nuk patët mundësi për ta shpëtuar 39-vjeçarin?

Bëmë të pamundurën, por nuk ia arritëm dot qëllimit. Fillimisht ne ishim në lëvizje dhe manovra nuk mund të bëhej menjëherë. Nga momenti që u njoftuam dhe deri në rikthimin në vendin e ngjarjes, u deshën disa minuta kohë. Për shkak edhe të detit të trazuar, kur mbërritëm në vendin ku u hodh pasagjeri nuk e gjetëm në sipërfaqe. Menjëherë kontaktuam me autoritetet bregdetare, të cilat u përgjigjën me urgjencë. Zhvilluam kërkime së bashku, por pa rezultat.

Në karrierën tuaj disa vjeçare, ju ka ndodhur diçka e tillë?

Sigurisht. Shumë shpesh biles. Ka shumë persona që në gjendje të dehur hidhen, apo bien aksidentalisht nga trageti. Por rasti në fjalë është shumë i rëndë. Sipas informacioneve që kam, në momentin e hedhjes pasagjeri nuk ka komunikuar me asnjë prej atyre që kishte pranë.

600 pasagjerët ishin shumë të irrituar kur zbritën…

Në fakt udhëtimi më këtë ngjarje u bë shumë i bezdisshëm për këdo që ishte në traget. Të gjithë dëshirojmë që të nisemi dhe të sosim sa më shpejtë në destinacion, por deti ka ligjet e veta dhe nuk i shkelim dot ato. Gjej rastin t’u kërkoj ndjesë pasagjerëve për vonesën, por nuk mund të vepronim ndryshe.

 

RREFIMI I PERSONIT QE E NJIHTE

Riza Osmanaj është personi me të cilin Gentjan Peta ka udhëtuar nga Gjermania drejt Shqipërisë. Osmanaj tregon se i kishte prerë biletën 39-vjeçarit, i cili ishte përcjellë nga dy bashkëmoshatarë të tij në Gjermani. "Jam tejet i tronditur për ngjarjen e ndodhur. Gentjani është një nga pasagjerët që po udhëtonte me autobusët e linjës tonë. E njoha gjatë rrugës dhe vura re se diçka e mundonte, por pa mundur ta zbardhja se çfarë e brente atë nga brenda. Ai rrinte kaq i heshtur. Ishte i mërzitur, nuk foli shumë gjatë rrugës. Më tregoi se fëmijët dhe bashkëshorten i kishte në Shqipëri. Pak para se të ndodhte ngjarja e pashë në traget, por kurrë nuk më shkoi ndërmënd se do të kryente një akt të tillë",- thotë Osmanaj.  

NGJARJA

39 vjeçari Gentjan Peta, u hodh nga trageti i linjes Bari – Durres, mëngjesin e së shtunës, rreth ores 09.00, ndërsa mjeti lundrues ndodhej rreth 12 milje larg portit të Durrësit. Megjithë operacionet e kërkim-shpëtimit të ndërmarra gjatë ditës së shtunë, ende nuk është bërë e mundur gjetja e Petës. Në mbrëmje kërkimet u ndërprenë për shkak të errësirës dhe motit të keq, për të rifilluar mëngjesin e së dielës. Qëndrimi për shumë orë në det të trazuar, e bën thuajse të pamundur gjetjen gjallë të 39 vjeçarit, emigrant prej 3 vitesh në Gjermani.

/gazeta “Panorama”/