DURRËS, 23 tetor 2014 – Ndonëse është folur dhe stërfolur për rihapjen e muzeut arkeologjik të Durrësit, ende vazhdojnë punimet e sistemimit të oborrit të muzeut arkeologjik Durrës.
Këto punime po realizohen në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit, ndërmarrjet e së cilës po realizojnë drenazhimin, dhe sistemimin e përgjithshëm të sheshit.
Gjithashtu në bashkëpunim dhe me specialistët po kryen, sistemimet dhe vendosjet e objekteve arkeologjike për ekspozimin në pjesën e jashtme.
Përveç ndihmës së bashkisë, drejtoria rajonale e kulturës kombëtare Durrës ka përfituar nga buxheti i shtetit dhe dy fonde modeste për rikonstruksionin (4 750 000 lekë) dhe për blerje pajisjesh për muzeun arkeologjik (2 425 437 lekë).
Info
Më 20 tetor 2014, drejtoria rajonale e kulturës kombëtare Durrës ka njoftuar bashkimin e operatorëve “Neal-86” në Sarandë dhe “Savrikal” në Delvinë, pjesëmarrës në tenderin për rikonstruksionin të muzeut arkeologjik Durrës me fond limit 4 750 000 lekë nga buxheti i shtetit, se u është pranuar oferta me vlerë 4 198 633, teksa kontrata është lidhur më… 14 qershor 2014.
Po më 20 tetor 2014, drejtoria rajonale e kulturës kombëtare Durrës ka njoftuar firmën e Tiranës Bolt, pjesëmarrëse e vetme në tenderin për blerje pajisjesh për muzeun arkeologjik Durrës me fond limit 2 425 437 lekë nga Ministria e Kulturës se është pranuar oferta me vlerë 2 361 900 lekë.
/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





