1 tetor 2015 – Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore tema kryesore e vitit 2015 në qytetin e Durrësit ka qenë Trashëgimia Jomateriale. Aktiviteti kryesor i organizuar nga drejtoria rajonale e kulturës kombëtare (DRKK) Durrës, në bashkëpunim me drejtorinë arsimore rajonale (DAR) ishte një konkurs midis shkollave 9-vjeçare të qytetit, për performancën më të mirë, të frymëzuar nga eposi i kreshnikëve dhe legjendat e moçme shqiptare.

Nxënësit sollën në skenë në mënyrë kreative thesare të trashëgimisë sonë jomateriale, megjithë vështirësitë që ka njohja dhe transmetimi i këtyre vlerave, për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme që pëson gjuha nën presionin e ndikimeve të jashtme.

DRKK-ja Durrës, duke vlerësuar rëndësinë që ka edukimi përmes artit, kulturës dhe trashëgimisë, solli edhe këtë herë, një bashkëpunim mjaft të suksesshëm me DAR-in Durrës, në përmbushje të misionit të përbashkët kundrejt brezit të ri. Në veprimtari ishin të pranishëm drejtuesit e DRKK-së dhe DAR-it, përkatësisht Ledion Lako dhe Lindita Mukaj.

/portali DurresLajm/