· Kështu u analizua në 130 pacientë sëmundja akute febrile infektive e lëkurës, nënlëkurës, më rrallë mukozave, shkaktuar nga streptokoku beta hemolitik i grupit A
· Mosha më e prekur 41-50 vjeç me 56 raste, që punonte dhe jetonte në mënyrë aktive në grumbullime njerëzish, ku është më i thjeshtë infektimi nga shkaktari (punëtorë me 86 raste, përkundrejt 17 zyrtarëve dhe 27 të papunëve)
21 shtator 2015 – Portali “DurresLajm” zbardh të dhënat epidemiologjike për një infeksion lëkure dhe nënlëkure (erisipela), teksa numri më i madh i 130 rasteve për vitet 2006-2010 është hasur në vitet 2010 me 28 raste dhe 2009 me 27 raste.
Një grup mjekësh nga Durrësi, Tirana e Milanoja (Nadire Kërtusha, Armida Jani, Arjan Harxhi, Tritan Kalo, Edit Shahi) kanë studiuar veçoritë epidemiologjike të erisipelave në Spitalin Rajonal Durrës (SRD) për periudhën 2006-2010.
Ç’ ËSHTË
Erisipela është një sëmundje akute febrile infektive, që shfaqet si infeksion i lokalizuar i lëkurës, i nënlëkurës, më rrallë i mukozave, i shkaktuar nga streptokoku beta hemolitik i grupit A, kryesisht pyogen ose rrallë dhe nga stafilokoku i verdhë. Ajo karakterizohet nga një pllakë eritematoze e kuqe e errët, me kufij të përcaktuar mirë e cila mund të shkaktojë dhimbje dhe kruarje. Vendet më të zakonshme janë këmbët dhe fytyra, por mund të paraqiten në çdo vend të trupit. Diagnozat më të rënda janë dermohipodermite e fascitet nekrotizante. Të dyja këto sëmundje kërcënojnë jetën e pacientit dhe kërkojnë një ndërhyrje kirurgjikale.
REZULTATE
Në studim janë përfshirë 130 pacientë (nga të cilët 82 ose 63% të rasteve ishin të seksit femër dhe 42 ose 37% të rasteve ishin meshkuj) për një periudhë prej 5 vjetësh, të cilët janë shtruar në spital ose vizituar ambulatorisht në klinikën infektive të SRD-së. Mosha më e prekur nga sëmundja ishte ajo e grupmoshave 41-50 vjeç me 56 raste, pra ajo aktive për punë, që punonte dhe jetonte në mënyrë aktive në grumbullime njerëzish, ku është më i thjeshtë infektimi nga shkaktari. Kjo lidhet dhe me faktin që numri më i madh i të prekurve ishte ai i punëtorëve me 86 raste, përkundrejt 17 zyrtarëve, dhe 27 të papunëve. Numri më i madh i rasteve është hasur në vitet 2010 me 28 raste dhe 2009 me 27 raste. Numrin më të madh të rasteve e zënë pacientët nga qyteti me 79 raste, përkundrejt atyre me banim në fshat, me 51 raste.
Burimi: revista mjekësore “Medicus”
/th. m. portali DurresLajm/