DURRËS, 5 maj 2014 – Dega e PD-së Durrës, me sa duket, për shkak se është përfshirë nga “ethet” e majit për zgjedhjet e reja në parti, nuk ka bërë homazhe në ditën e Dëshmorëve të Kombit, ndryshe nga selia qendrore.
Ky fakt dëshmon për rrumpallën që ka përfshirë strukturat e selisë bregdetare blu, pasi vetë selia qendrore, kreu i PDSH-së z. Lulzim Basha, i shoqëruar nga paraardhësi i tij z. Sali Berisha, bëri homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
Parë në këtë aspekt nuk mund të spekulohet se ka bojkot për këtë ditë të diktuar nga Tirana, thjesht PD-ja e Durrësit nuk di ku ka “kokën”.
Z. Basha përcaktoi vijën zyrtare të opozitës lidhur me 5 Majin:
“Sot është dita kur shqiptarët nderojnë Dëshmorët e Kombit. Heronjtë të cilët luftuan për idealet e larta të Shqipërisë dhe shqiptarëve, bashkimit kombëtar, dinjitetin e Kombit tonë dhe Demokracinë. Sot, 70-të vite pas përfundimit të luftës antifashiste shqiptarët janë më të bashkuar dhe ideali i të rënëve në luftë antifashiste, i errësuar për dekada po lartësohet sërish”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





