Durrës, 30 korrik 2014 – Sektori Kundër Drogës dhe Narkotikëve në Policinë e Durrësit finalizoi me operacionin “Express”, i cili çoi në prangosjen e një grupi kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës. Hetimet policore ndaj të rinjve të përfshirë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm vijonin prej dy muajsh.
Me përfundimin e këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u shpall në kërkim një i katërt.
Policia e Durrësit bën të ditur se në pranga kanë përfunduar shtetasit:
1-Ervis Likmeta, 37 vjeç, banues në lagjen 5 Durrës.
2-Florian Likmeta, vëllai i Ervisit, i moshës 39 vjeç, banues në lagjen 5 Durrës. (ne foto)
3-E. L., 40 vjeç, banues në lagjen 1 Durrës.
Policia ka shpallur në kërkim shtetasin Ardian Axhemi, 38 vjeç, banues në Durrës.
Nga puna hetimore rezultoi se këta shtetas e ushtronin aktivitetin e shpërndarjes së kokainës në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, përfshi edhe zonën e plazhit. Lënda narkotike e bërë gati për shitje iu kap shtetasve të arrestuar në lagjen Nr.1 dhe brenda ambienteve të Portit, ndërkohë që pjesa tjetër u gjet gjatë kontrollit të banesave.
Në total gjatë kontrollit personal dhe të banesave shtetasve në fjalë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 26 doza kokainë të përgatitura për shitje si dhe 100 gr nga e njëjta lëndë narkotike.
Gjithashtu u bllokua një automjet Ford Focus me targa DR3424F, dy motoçikleta të markës Yamaha me të cilët këta shtetas kryenin zhvendosjen si dhe 4 aparate telefonikë celularë.
Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Durrës,për veprën penale”Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





