Banorët e lagjes 15 në Durrës, nga Spitalla deri tek ish-Konservimi, nëpërmjet një peticioni drejtuar institucioneve vendore dhe qendrore, kërkojnë marrjen e masave konkrete ndaj një problemi të rëndë mjedisor me të cilin përballen.

Fabrika e përpunimit të peshkut, sipas banorëve, i derdh në kanalin kryesor të gjitha mbetjet duke krijuar një ndotje të tmerrshme në zonën e mbipopulluar me banorë. Mbetjet e peshkut shkarkohen nga fabrika e përpunimit të peshkut gjatë natës dhe dekompozohen në kanalin e hapur duke bërë që era e rëndë të përhapet në të gjithë zonën, dhe jetesa e banorëve të kthehet në tmerr të vërtetë, thonë banorët në peticionin e dërguar institucioneve.

Banorët kanë firmosur një peticion dhe i janë drejtuar kryeminstrit Edi Rama, Bashkisë, Ujësjellësit, Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror, etj., për marrjen e masave urgjente në lidhje me këtë shqetësim. Në bazë të kontratës që firma ka me bashkinë për funksionimin dhe organizimin e saj, presupozohet se mbetjet urbane i eksporton jashtë shtetit për t’i përpunuar, por në realitet thonë banorët, firma i derdh ato natën në kanalin kryesor që përshkon zonën e përfundon në hidrovorin e Porto-Romanos.

Ndjekim shqetësimin e banorëve.

K.H.