Durrës, 13 maj 2014 – I kanë premtuar se do t’i zbulonin fatin e rezervuar për të dhe familjarët e saj, por në fund kanë ikur duke i marrë unazën dhe varësen e floririt.
Kështu është gënjyer një 27 vjeçare, banuese në Sektorin Rinia, Durrës.
Ka qenë paraditja e së hënës, kur dy fallxhore i kanë trokitur në derë gruas së re. Duke shfrytëzuar faktin se ishte e vetme në shtëpi, ato e kanë siguruar se ishin mjaft të zonja në shtirjen e fallit. Për këtë janë ulur së bashku me 27 vjeçaren dhe kanë nisur t’i ‘lexojnë’ të ardhmen.
Pasi i kanë treguar se çfarë rezervonte e ardhmja për të, ato janë larguar nga shtëpia e 27 vjeçares Z.H. Pas largimit të tyre, gruaja e re ka zbuluar se në shtëpi i mungonin unaza dhe varësja e floririt me vlerë 10 mijë lekë.
Ajo ka tentuar t’i gjejë dy fallxhores mashtruese, por ato kishin ‘avulluar’. Duke mos pasur mundësi tjetër 27 vjeçarja ka bërë denoncimin në polici si dhe ka dhënë karakteristikat e dy fallxhoreve, në mënyrë që policia ta ketë më të lehtë identifikimin e tyre.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





