Shteti arbitrar me fadroma dhe polici nxjerr jashtë banesës dy të moshuar në Porto Romano. Krejtësisht në mënyrë të jashtëligjshme për interesa të grosistëve të karburantit e naftës, IKMT prishi një banesë e cila ishte legalizuar në vitin 2011 por që më pas po ALUIZNI e ka skualifikuar.

Ashtu siç u njoftua  një ditë më parë, forcat e IKMT-së kanë shkuar sot në lagjen nr.15 të Durrësit, në zonën e Porto-Romanos, për të shembur banesën e familjes Mishka.

Por familjarët janë përplasur me forcat e IKMT-së, pasi pretendojnë se po u bëhet padrejtësi. Familja Mishka që jeton aty prej 30 vjetësh deklaroi se banesa e tyre në 2011 ka vendim nga Këshilli i Ministrave për legalizim por kjo familje nuk kishte të ardhura të paguante aso kohe tarifën e legalizimit.

Më pas po ALUIZNI e ka skualifikuar duke proceduar brenda 24 orësh njoftimin për prishje banese dhe vënien në zbatim. Ditën e sotme, në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm forca të shumta policie si dhe punonjës të OSHEE-së.

Në një intervistë për mediat, Imer Mishka emigrant publikoi dokumentat që disponon duke theksuar se banesa e tyre është ndërtuar që në vitin 1991 në atë zonë dhe pasi kanë aplikuar për t'u pajisur me certifikatë pronësie në vitin 2006, në 2011-n ka dalë VKM-ja për të legalizuar ndërtesën e tyre një katëshe.

Ai thotë së pavarësisht VKM-së, shtëpia e tyre është përjashtuar nga ky proces pas disa vitesh dhe për këtë ka trokitur në shumë dyer insitucionesh. Pavarësisht se dy prindërit e tij të moshuar dhe emigranti i sapokthyer nga Italia kundërshtuan sipas tyre një veprim arbitrar e të jashtëligjshëm që po ju bëhet fadroma e IKMT nuk është ndalur duke prishur banesën e tyre.

K.H.