Komuniteti Mysliman i Shqipërisë merr nën administrim gjashtë banesa, të cilat i ishin njohur si pronë e tij, dhe gjashtë familjet që banonin në to dalin në rrugë të madhe. Familjet nuk i ka ndihmuar aspak as fakti se në njërën prej atyre banesave kohë më parë kishte jetuar edhe Vlash Rama, gjyshi i kryeministrit Edi Rama.
Gjykata e Shkallës së parë e Durrësit ka ligjëruar procedurën për lirimin e banesave të pronarëve, një procedurë kjo e nisur që në vitin 2012, kur qeveria nxorri një akt normativ për nxjerrjen nga këto banesa të familjeve të pastreha, në rast se ato ishin përfitues të skemave të ndryshme të strehimit.
Në një objekt që, për hir të fatit, ndodhet fare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka pronësinë e 12 banesave. Por, për momentin, procedura ka përfunduar vetëm për gjashtë prej tyre. Sot, përmbaruesit gjyqësorë kanë ekzekutuar vendimet, duke nxjerrë gjashtë familjet nga ato banesa.
Midis tyre gjashtë banesave është edhe ajo ku ka jetuar Vlash Rama, banesë në të cilën ka lindur edhe Kristaq Rama, respektivisht gjyshi dhe babai i Edi Ramës, kryeministrit të vendit. Pasi banesa u lirua nga Vlash Rama, në vitin 1951, aty, me vendim të institucioneve të kohës, u strehua familja Bomi. Fatmira Bomi, tashmë e moshuar, e cila ka lindur në këtë banesë, akuzon gjykatën për vendime me dy standarte. “Jetoj në Banesën Nr. 451 në Durrës, ku ka jetuar para nesh Vlash Rama, gjyshi i kryeministrit Edi Rama. I bëj thirrje kryeministrit të vërë dorën në zemër e të shikojë se po na nxjerr nga shtëpia Komuniteti Mysliman, – thotë Fatmira Bomi. – Gjyqi është fituar me padrejtësi të mëdha. Në këto banesa kemi investuar nga 20 e 30 milionë lekë, sepse janë banesa njëshekullore, shumë të vjetra. Janë ndërtuar nga italianët pas viti 1939, ndërsa tani pronar i del Komuniteti Mysliman. Pse gjashtë banesave të tjera nuk u mori dot pronësinë që pretendonte Komuniteti Mysliman? E përfitoi vetëm tek ne, se jemi të vobekët.”





