Kriza që ka përfshirë prej kohësh sektorin fason është ndjerë dhe në Durrës.

Në qytetin bregdetar numërohen mbi 170 rrobaqepësi me një mesatare rreth 70-80 punonjës secila, ndërsa referuar të dhënave zyrtare porositë kanë pësuar rënie deri në 30%.

Në tremujorin e fundit janë larguar nga sistemi rreth 1500 punonjës thotë Edvin Prençe kryetari i Shoqatës PRO Eksport.

“Ka pasur një humbje të konsistueshme të vendeve të punës, pse jo dhe mbyllje të bizneseve. Mund të flitet për 1500 punonjës në 3 muajt e fundit, por ekziston shpresa që të paktën të ketë një restart. Ajo çdfarë po bëhet e mundur është aktivizimi i një garancie sovrane, që është bërë realitet nga ana e qeverisë”.

Një situatë alarmante parashikohet në këtë sektor në muajt në vazhdim për shkak të rënies së mëtejshme të euros gjatë sezonit turistik. Rënia e monedhës evropiane çon automatikisht në humbjen e konkurencës së tregut shqiptar përballë atij të huaj.

“Rënia e euros po çon në humbjen e konkurueshmërisë së produkteve shqiptare, gjë që po na kthen mbrapsht në vitet ’92, kur Shqipëria ishte vetëm vend importues dhe aspak prodhues. Nga ana tjetër jemi të bindur se euro do të zbresë poshtë 100 lekëve, prandaj Banka e Shqipërisë duhet të bëjë ndërhyrjet e nevojshme që kjo mos të ndodhë, sepse në të kundërt do të jetë problematikë për të gjithë ekonominë shqiptare”,- tha Prençe.

Prej muajsh në vështirësi dhe pa mbështetje financiare, duket se sipërmarrësit e kanë të pamundur të mbajnë fuqinë punëtore, megjithëse deri në vitin 2019, sektori fason ishte ofruesi më i madh i vendeve të lira të punës. Kriza ekonomike me të cilën po përballet ky sektor mund të marrë zgjidhje vetëm përmes garancisë sovrane.

M.B.