Durrës, 18 prill 2014 – “Nuk kam konflikte me asnjë dhe nuk di kush mund të ketë vendosur eksploziv në automjetin tim”. Kështu mësohet të jetë shprehur biznesmeni Eduart Xhepa para grupit hetimor që po punon për zbardhjen e identitetit të personave që vendosën eksploziv në automjetin e pronarit të restorant “Aragosta” në Durrës. Megjithëse policia e Durrësit ka shoqëruar gjatë ditës së enjte një numër të konsiderueshëm personash për këtë ngjarje, ende nuk ka asnjë emër të dyshuar.
Sipas grupit hetimor, një nga pistat e hetimit është ajo për shkak të konkurencës, megjithëse nuk përjashtohen edhe pista të tjera. Makina në pronësi të Xhepës, tip ‘Volkswagen’ me targa DR 2137 R,shpërtheu në parkingun e lokalit të tij, rreth orës 07.52 të së enjtes, vetëm pak pasi biznesmeni kishte zbritur prej saj.
Mësohet se Xhepa kishte shoqëruar me këtë makinë të birin për të shkollë, përpara se të shkonte tek restoranti që administron prej vitesh. Makina ka qenë e parkuar gjatë natës para shtëpisë së tij dhe kjo mendohet se ka qenë koha kur autorët e shpërthimit kanë vendosur lëndën eksplozive poshtë mjetit.
Burime policore bëjnë të ditur se sasia e eksplozivit të vendosur në makinë ka qenë e vogël, ndërkohë që “fati” e ka ndihmuar biznesmenin. Në telefonin e vendosur poshtë mjetit të tij kishin mbërritur dy thirrje të humbura, që nuk arritën të aktivizonin lëndën eksplozive. Vetëm në thirrjen e tretë, eksplozivi shpërtheu duke shkaktuar veç dëme materiale, pasi Xhepa kishte zbritur nga mjeti i tij.
Atentatet ndaj biznesmenëve janë kthyer në një fenomen shqetësues në qytetin bregdetar. Që nga fillimi i këtij viti janë regjistruar tre të tilla, bilanci i të cilave ka qenë një i vdekur dhe një i plagosur.
Në gjysmën e dytë të muajit janar, në automjetin e biznesmenit të ndërtimit Xhemal Çela u vendos një sasi e konsiderueshme eksplozivi që shpërtheu gjatë kohës kur Çela po udhëtonte në aksin rrugor Ura e Dajlanit – Plepa. Si pasojë e plagëve të rënda të marra, biznesmeni humbi jetën disa ditë më vonë në spital.
Ndërkohë, në fund të muajit mars, u plagos në një pritë para shtëpisë së tij në Shijak, biznesmeni Ilir Hoxha. Të dy atentatet ende nuk janë zbardhur.
Rasti më i fundit u regjistrua vetëm një ditë më pare, në zonën e Currilave në Durrës, ku biznesmeni Eduart Xhepa i shpëtoi për një fije atentatit ndaj tij.
/m.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





