Vetëm pak kilometra larg qendrës së Durrësit, pranë shkollës së re të Kënetës, aty ku studiojnë 1200 fëmijë në shkollën 9-vjeçare, gjendet komuniteti egjiptian.

Fëmijët e këtij komuniteti, pavarësisht dëshirës së madhe për t’u arsimuar, shkollën e shikojnë vetëm nga përtej kangjellave dhe mureve të saj të jashtëm.

Familjet e tyre nuk kanë asnjë mundësi ekonomike të sigurojnë librat apo veshjet minimale për vogëlushët e tyre për të vijuar shkollën normalisht si bashkëmoshatarët e tyre.

Mësuesit e kësaj shkolle kërkojnë të sensibilizohet opinioni publik, për dy familjet Zyba, sepse vogëlushët e tyre nuk regjistrohen në shkollë prej vitesh.

DurrësLajm ka qënë pranë dy familjeve Zyba, që gjenden 200 metra larg shkollës 9-vjeçare. Në këtë banesë ku jetojnë së bashku dy familje me 15 anëtarë, 13 prej të cilëve fëmijë, kushtet janë tmerrësisht të vështira.

Ndriçim Zuba është prind i 6 fëmijëve. Ai tha se Paloma, vajza e tij 7-vjeçare duhet të hyjë në shkollë këtë vit, por ai nuk ka asnjë mundësi të blejë libra, fletore apo veshje për të.

”Jam i papunë dhe me pagën prej 15 mijë lekë të reja që merr gruaja në një fabrikë rrobaqepësie është e pamundur të çoj vajzën në shkollë në klasë të parë. Nuk kemi lekë për bukë, jo më për të blerë libra apo veshje për të”, tha i ati i dëshpëruar.

Ai shton se duhet të shkojë t’u bëjë vizita fëmijëve për të marrë raport mjekësor etj, por sipas tij nuk mund t’i bëjë as këto pasi nuk ka para.

Matilda Zyba është kunata e tij. Ajo thotë se dy fëmijët e saj duhet të kishin hyrë në shkollë disa vite më parë, por ata nuk kanë frekuentuar shkollën dhe janë analfabetë.

“Jetojmë me 10 mijë lekë të reja që përfitoj nga KEMP-i i një prej fëmijëve dhe ato nuk i kemi marrë. Burri mbledh kanaçe ose plastikë. E kemi të pamundur të çojmë fëmijët në shkollë”, tha nëna e 5 fëmijëve.

Paloma 7-vjeçare është shumë e sigurt në atë që do. Ajo dëshiron që ditën e parë të shkollës të ketë librat, një çantë të re dhe të jetë me shoqet në bankat e klasës së parë.

Në shkollën 9-vjeçare në Kënetë është bërë publike një listë me emrat e fëmijëve që përfitojnë rimbursim të librave nga shteti.

Por problemi qëndron se këta prindër të komunitetit rom nuk kanë para për të blerë librat e fëmijëve të tyre, dhe për të pritur më pas shtetin që t’u rikthejë paratë e rimbursimit. Në këto kushte, fëmijët mbeten pa shkollë, analfabetë dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen e tyre.  

Ndjekim materialin e përgatitur nga gazetarja e DurrësLajm:

K.H.