* Fëmijët: Na llogarisni dhe ne në vendimmarrje dhe buxhet
1 dhjetor 2015 – Gjendja e një pjese të shkollave publike, përballja e prindërve me kërkesat shpesh të pakuptimta për kontribut financiar për qëllime sigurie dhe mirëmbajtje të godinave publike shkollore, mungesa e hapësirave të gjelbra, këndeve të lojërave etj. mbeten shqetësime për mjaft prindër në Durrës. Gjithnjë e më pak fëmijët janë në kontakt me natyrën, e për shkak të kushteve të munguara gjithnjë e më shumë të dhënë pas teknologjisë, botës virtuale dhe asaj televizive që ndikojnë dhe në krijimin e lidhjeve të gabuara me realitetin. Këto shqetësime të së përditshmes së prindërve dhe fëmijëve, zor se mbërrijnë aty ku duhet dhe kur zëri i tyre arrin të kalojë barrierat nuk arrin të kthehet në kujdes e investime publike për fëmijët, pavarësisht premtimeve të pushtetarëve vendorë.
Po Konventa për të Drejtat e Fëmijëve e detyron Qeverinë shqiptare dhe pushtetin vendor që të investojnë sa më shumë për fëmijët. E që të përmbushen detyrimet që rrjedhin nga kjo Konventë për akses në shëndetësi, strehim, edukim, ushqim, siguri, argëtim e mirëqenie sociale, shtetet duhet të shpërndajnë me zgjuarsi buxhetin e tyre dhe të akordojnë më shumë fonde për promovimin e të drejtave të fëmijëve, krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për jetesën e tyre. Për të kuptuar situatën e të drejtave të fëmijëve, grupi “Zëri 16+” në Durrës në kuadër të projektit “Hapja e burimeve financiare për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri” të financuar nga Komisioni Evropian përmes organizatës “Save the Children”, monitoroi buxhetin e bashkisë së Durrësit për vitin 2015, duke u përqendruar tek ajo pjesë e buxhetit që shkon për investime e shërbime për fëmijët.
I asistuar në këtë proces nga një eksperte e organizatës më të njohur ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, “Save the children”, grupi “Zëri 16+” Durrës ka konstatuar se vetëm 11 % e shpenzimeve të përgjithshme të parashikuara, shkon drejtpërdrejt ose tërthorazi në shërbime që lidhen me fëmijët, duke përfshirë këtu fondet e akorduara për sporte, infrastrukturën shkollore, kopshtet, Qendrën Kulturore të Fëmijëve, Bibliotekën etj., që konsiderohen shpenzime të detyrueshme vjetore për pushtetin vendor.
Problematika
Pjesëmarrja e fëmijëve në vendimmarrje kur është fjala për çështje dhe investime që lidhen me ta është e ulët, edhe pse nuk mungojnë strukturat në mbrojtje të tyre në nivel vendor dhe bashkia ka marrë angazhime lidhur me ta. Kufizimet në të ardhura diktojnë edhe shpërndarjen e fondeve ku vihet re një orientim i cunguar i shërbimeve sociale për mirëqenien e fëmijëve, si dhe mungesa e pasqyrimit të nevojave të tyre dhe komunitetit në buxhet. Një gjetje e raportit është se adresimi i qartë i buxheteve specifikisht për fëmijët mungon. Janë të pakta programet që ofrojnë informacion rreth fëmijëve, ndaj dhe i lihet vend supozimit mbi përqindjen e fëmijëve dhe të rinjve përfitues për të llogaritur atë pjesë të buxhetit që shkon për fëmijët. Konstatohet lehtësisht një mungesë e informacionit konkret mbi numrin e fëmijëve përfitues nga shërbimet e ofruara nga bashkia, të stafit të përfshirë në dhënien e këtyre shërbimeve etj. duke i lënë vend supozimeve. Këtë vit, bashkia është përballur dhe me ndryshimet ligjore që rrjedhin nga reforma e re administrativo-territoriale, ndryshime që kanë cenuar ndjeshëm dhe buxhetin e transfertën e pakushtëzuar.
Investimi te fëmijët, zhvillim për komunitetin
Investimet e orientuara drejt fëmijëve çojnë në zhvillim ekonomik e social për të gjithë komunitetin, ndaj kërkohet një rivlerësim i shpenzimeve buxhetore, shpërndarjes së fondeve në projekt-buxhetin e bashkisë. Zëri 16+ jo vetëm identifikon problemet, po del dhe me rekomandime konkrete mbi ndërhyrjet që kërkohen për të shfrytëzuar burimet dhe arritur progresin e nevojshëm në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Durrës, bashkinë që pas zgjedhjeve të qershorit 2015 ka zgjeruar ndjeshëm territorin në administrim dhe popullatën. Ndaj raporti sugjeron politika konkrete për integrimin në planifikimet buxhetore të atyre fushave që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin e fëmijëve dhe mirëqenien e tyre, si dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe mbështetjen teknike për zyrtarët e zgjedhur dhe Këshilltarët Bashkiak mbi detyrimet e tyre kundrejt të drejtave të fëmijëve. Kjo do ta ndihmonte Bashkinë që angazhimet politike t’i përkthente në investime konkrete në të drejtat e fëmijës. Rëndësi të veçantë merr dhe njohja reale e situatës dhe problematikave me të cilat përballën fëmijët në territorin e bashkisë së Durrësit. Ndaj të dëgjuarit e zërit të fëmijëve gjatë procesit të hartimit të buxhetit dhe përfshirjes së tyre në marrjen e vendimeve mbi prioritetet e bashkisëështë një nga rekomandimet bazë të raportit. Për të arritur këtë, Bashkia duhet të përdorë më shpesh mjetet e buxhetimit me pjesëmarrje, përfshirjen e fëmijëve dhe grupeve të interesit në procesin e buxhetimit për të identifikuar më mirë nevojat e fëmijëve dhe jo vetëm në drejtim të shërbimeve sociale. Fëmijët propozojnë dhe ngritjen e një rrjeti të bashkive ku të shkëmbehen përvojat në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe investimit për to. Bashkia ka nevojë për burime, resurse që t’i investojë te fëmijët.
Buxheti 2016 dhe fëmijët e Durrësit
Zëri 16 + Durrës, një grup i drejtuar nga fëmijë e të rinj, u krijua në fillim të viteve 2000 me nismën e organizatës ndërkombëtare “Save the children”. Grupe të njëjta veprojnë dhe në Elbasan, Peshkopi e Burrel dhe kanë si qëllim të përmirësojnë kapacitetet monitoruese dhe raportuese të fëmijëve mbi situatën e të drejtave të tyre, si dhe për të advokuar për të drejtat e tyre përmes nismave të drejtuara nga fëmijët për fëmijët. Sot, ata kërkojnë të jenë aktivë në procesin e hartimit të buxhetit, duke identifikuar problemet e nevojat e tyre dhe kërkuar zgjidhje përmes investimeve publike të parashikuara në buxhetin e bashkisë. Në një takim të zhvilluar së fundmi në Bashkinë e Durrësit, Zëri 16+ ka parashtruar disa nga nevojat e fëmijëve dhe të rinjve që propozohet të përfshihen në projekt-buxhetin e vitit 2016 dhe të marrin zgjidhje problemet që rrjedhin prej tyre. Fëmijët kanë treguar përgjegjshmëri në kërkesat e tyre drejtuar bashkisë më shumë se sa mund të pritej prej tyre. Ata kanë kërkuar krijimin e një grupi të ri në kopshtin e shkollës “Met Hasa” të Porto Romanos, për të përfshirë në sistemin parashkollor shumë fëmijë që kanë mbetur jashtë këtij sistemi për mungesë kapacitetesh e stafi. Kanë kërkuar një qendër rinore ku të mblidhen në mënyrë që të organizohen dhe largohen jetës së rrugës dhe virtualitetit, duke shërbyer dhe në veprimtari komunitare. Mbështetja me kampe verore për fëmijët e zonave periferike, më shumë hapësira publike në plazhin e Durrësit dhe investime në nyjat hidro-sanitare të shkollave janë disa nga kërkesat e tjera që i janë drejtuar Bashkisë për t’i përfshirë në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm.
Pavarësisht hapave pozitivë të ndërmarrë vitet e fundit, ka ende shumë për të bërë me qëllim përafrimin me standardet e Bashkimit Europian e më gjerë. Është koha për t’i dëgjuar fëmijët dhe kërkesat e tyre legjitime. Është koha për t’i mbështetur në përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe kontribuar në një jetesë më të mirë për të gjithë fëmijët, përmes përmirësimit të kushteve në të cilat ata edukohen, argëtohen e jetojnë.
/portali DurresLajm/