DURRES, 09 mars 2013 – Ndonëse ligji parashikon që nën moshën 18 vjeç nuk lejohet kosumimi i pijeve alkolike, në qytetin bregdetar të Durrësit ai shkelet me të dyja këmbët. Në asnjë prej lokaleve të qytetit nuk zbatohet ky ligj, ndërsa adoleshentë dhe nxënës shkollash, pavarësisht moshës së mitur vijojnë të konsumojnë pa asnjë lloj problemi pijet alkoolike. Janë të shumtë ata që i drejtohen spitalit për të marrë ndihmën e parë, ndërkohë që statistikat flasin për shifra në rritje të abuzimit të alkoolit nga ana e të rinjve.
Mjekët e spitalit të Durrësit, sidomos mjekët roje që janë në kontakt me rastet e shumta që paraqiten pranë urgjencës së këtij spitali, bëjnë me dije se kohët e fundit numri i personave nën moshën 18-vjeçare, të cilët rendin drejt spitalit, pas abuzimit me pijet alkoolike është rritur ndjeshëm. Madje nuk mungojnë as rastet kur vajza nën 18 vjeç paraqiten pranë urgjencës për t’u trajtuar me serum, pasi kanë abuzuar me pijet alkoolike.
Mjekët shprehen se tashmë janë mësuar me pacientët minorenë që paraqiten pranë urgjencës, herë të shoqëruar nga shokët dhe herë nga prindërit.
“Janë të shumtë personat që vijnë për të marrë ndihmën e parë pas abuzimit me pijen, por ajo që është më shqetësuese për ne është numri gjithnjë në rritje i adoleshentëve që konsumojnë alkool. Në raste ditëlindjesh, apo në raste festash kemi fluksin më të madh. Ndodh që paraqiten 3-4 raste menjëherë dhe mes tyre ka dhe vajza adoleshente. Ndërkohë regjistrohen dhjetëra raste gjatë ditës, pasi shpesh gjimnazistët braktisin mësimin dhe drejtohen për në lokale”,- thonë mjekët.
Ndërkohë përsa i përket moshave të rritura fluksi më i madh i tyre vihet re në fundjavë, kur një pjesë e të rinjve frekuentojnë lokalet me muzikë live apo pub-et.
Mjekët rekomandojnë më tepër vëmendje kundrejt adoleshentëve dhe masa më shtrënguese ndaj lokaleve që u servirin pije alkoolike, të rinjve nën 18 vjeç. “Duke i lejuar të abuzojnë me pijen po dëmtojmë fëmijët tanë. Duhet të merren masa më të rrepta nga ana e strukturave përkatëse, që ky fenomen të parandalohet sepse po shkon drejt rritjes. Fëmijët dhe adoleshentët shpesh tregohen të papërgjegjshëm dhe herë-herë përfshihen nga atmosfera ku ndodhen. E vetmja mënyrë që ata të mos konsumojnë pije alkolikë, është që vetë lokali apo ambjenti ta zbatojë ligjin me rigorozitet”,- pohon një prej mjekëve të urgjencës, ndërsa shton: “Eksperiencën e parë me pijet alkoolike të rinjtë shqiptarë po e provojnë në moshë gjithmonë e më të hershme. Konsumi i alkoolit po shtohet dita-ditës, traumat, aksidentet që lidhen me alkoolin po shtohen, humbjet familjare, pasojat tragjike në familje, dhuna në familje po shtohet falë konsumit të alkoolit”.
Mjekët pohojnë se përditë regjistrohen me dhjetra raste kur minorenë apo adoleshentë, paraqiten në spital për të marrë ndihmën e parë, pasi kanë abuzuar me alkooli.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





