·        Drejtori Avni Çuni (LSI) akuzon ish-drejtoren e arsimit Mira Bllani (PD) dhe bashkinë e Durrësit (PS) për gjendjen e mjeruar të ndërtesës dhe personelit në 70-vjetorin e krijimit të ish-“Shtëpisë së Pionierëve”

DURRËS, 21 maj 2014 –  Nis maratona e Festës së Abetares në sallën e kinemasë së qendrës kulturore të fëmijëve (QKF) të qytetit bregdetar.

Më 20 maj 2014, nxënës të klasave të para të shkollës 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” dhe prindër të tyre kanë marrë pjesë në Festën e Abetares, një shfaqje e mrekullueshme prej një orë e gjysmë në sallën prej 225 vendesh të tejmbushur të QKF-së, i tha “Dyrrah”-ut drejtori, z. Avni Çuni.

Më 21 maj 2014 paradite radhën e kishin nxënësit e klasave të para të shkollës 9-vjeçare “Maria Kaçulini”.

Z. Çuni tha se, sipas një grafiku, para dite dhe pasdite, të 30 shkollat publike dhe jopublike 9-vjeçare të qytetit të Durrësit do të zhvillojnë spektaklet mbresëlënëse të Festës së Abetares në këtë institucion.

Sherri 8-vjeçar

QKF-ja shënon vitin e ardhshëm 70-vjetorin e krijimit në një ndërtesë të rrënuar plotësisht, gati për t’u rrëzuar tarraca, për shkak të masakrës në personel të ish-drejtores rajonale të arsimit znj. Mira Bllani (nga 14 punonjës la vetëm 3 me rroga) dhe bashkisë së qytetit (që jep investimet), ndonëse me VKM ka statusin për përfaqësim ndërkombëtar të Shqipërisë.

Sherri 8-vjeçar pushtet qendror (PD, Ministria e Arsimit)-pushtet vendor (PS, bashkia) ka bërë që për vitin 2014 QKF-së t’i jepen nga qeverisja e Durrësit vetëm 1 milion lekë, nga 5,2 milionë lekë të kërkuar, për veprimtari kulturore, shkencore dhe sportive, thotë z. Avni Çuni (LSI).

Shënim: Ilustrimi nga arkivi.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/