Durrës, 14 korrik 2014  – Durrësi u pushtua mbrëmjen e së dielës nga tifozët gjermanë.

Fishkëllima e fundit e arbitrit Rizzoli për përfundimin e ndeshjes finale Gjermani – Argjentinë ishte sinjali për fillimin e festimeve për shpalljen kampion bote të ekipit gjerman. Tifozët nuk pritën as momentin e ngritjes së kupës, por u derdhën në rrugë për të festuar sipas mënyrës së tyre.

Të dukej se nuk ndodheshe në një qytet shqiptar, por në një qytet gjerman ku tifozët festonin fitoren e ekipit të tyre të zemrës dhe titullin e 4-rt Kampion Bote.

Fishekzjarret, boritë e makinave, brohorimat, lotët e gëzimit, fotot e shkrepura për të kujtuar gjithmonë këtë datë të rëndësishme etj. shoqëruan festën gati një orëshe të tifozëve gjermanë në Durrës.

Për herë të parë sheshi dhe rrugët kryesore të Durrësit u veshën me trengjyrëshin gjerman.

Atmosfera ka qenë vërtet magjike siç shihet qartë nga fotot që shumë prej tifozëve i kanë postuar në rrjetet sociale.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/