Janë zbardhur detaje të reja mbi ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmjen e kaluar në lagjen nr.12 në Durrës, ku 51-vjeçari Valbon Beqiri humbi jetën gjatë një feste private në një apartament.
Sipas burimeve të deritanishme, viktima kishte ftuar miq në apartament, ku gjatë festës u konsumuan pije alkoolike dhe lëndë narkotike. Konflikti mes viktimës dhe një prej të pranishmëve, i identifikuar si Teilor Tivari 24 vjeç, ka eskaluar shpejt.

Hetimet paraprake tregojnë se nën efektin e substancave, 24-vjeçari ka nisur të sulmojë fizikisht viktimën dhe më pas ka përdorur një thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Bëhet me dije se autori i dyshuar është dorëzuar vetë pas ngjarjes dhe po merret në pyetje nga policia.
Sakaq, gjatë dëshmisë së tij në polici deri më tani, Tivari është shprehur se 51-vjeçari ka tentuar ta përdhunojë.
“51-vjeçari tentoi të në përdhunonte. Tentova të mbrohesha, ai ishte më i fuqishëm se unë, i shpëtova, mora thikën e bukës dhe e qëllova”, ka thënë ai.





