DURRËS, 2 dhjetor 2014 –  Edicioni i nëntë i festivalit ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan ka përfunduar mbrëmjen e 1 dhjetorit 2014 me dy shfaqjet e prezantuara në teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit, njofton zyra e shtypit.

Artdashësit e shumtë ndoqën fillimisht trupën e studentëve Rreze Qerreti dhe Robert Nuha nga Kosova, të cilët shfaqën spektaklin “Am I? Or I am not?!” me drejtor artistik Gjergj Prevazin. Studentët kosovarë sollën disa nga shqetësimet dhe dilemat e moshatarëve të tyre përmes lëvizjeve skenike e trupore. Shikuesit duartrokitën edhe spektaklin e koreografes Claudia Catarzi, që erdhi në këtë edicion të Festivalit me shfaqjen “Qui, Ora”. Koreografja dhe kërcimtarja italiane, fituese e disa çmimeve të rëndësishme në veprimtari të ndryshme evropiane për më shumë se 15 minuta krijoi një atmosferë të veçantë në sallën e teatrit të Durrësit. Në shfaqjen e saj ndjehet dëshira për të fituar përvoja të reja e për të zbuluar se çfarë kuptimi merr forma artistike. Këto dy shfaqje u prezantuan një natë më parë edhe në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë.

Drejtori i këtij Festivali, Gjergj Prevazi tha se gjatë këtij edicioni u realizuan 15 shfaqje gjithsej në Durrës, Tiranë dhe Elbasan nga kompani dhe trupa nga vendi ynë, Kosova, Zvicra, Kanadaja, Italia dhe Hungaria. Veç sallave të njohura, këtë vit spektaklet u organizuan edhe në Galerinë e Arteve Kombëtare dhe në “Tirana Express”.

Sipas Prevazit, shfaqjet “Dawn” të kompanisë hungareze Hodworks  dhe “Qui, Ora” të Claudia Catarzit, që u shfaqën në festival, janë klasifikuar nga Networku më i madh i kontinentit “Aerowaves” ndër 20 produksionet më të mira evropiane për vitin 2014. Prevazi shtoi se, përveç Bashkisë së Durrësit, këtë vit është rikthyer në mbështetje të  këtij festivali edhe Ministria e Kulturës.

Që nga viti 2006 skena shqiptare është pasuruar me zhanrin e ri të Dance Theater dhe artistët tanë po fitojnë një përvojë gjithnjë e më të madhe në këtë drejtim.

Info

Festivali i Dancit që organizohet nga shoqata “Bukuroshja e Durrësit” ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Holanda, Turqia, Italia, Kanadaja, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj.

Foto: nga Tristan Sherifi.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/