Eslin Kurti me këngën “Diell” të kompozitorit Enis Mullaj u shpall fituese e edicionit të 38-të të Festivalit “Tingujt e Adriatikut”.

Mjaft e emocionuar nga çmimi i parë, artistja e re tha për “DurrësLajm” se kënga mund të jetë bashkëshoqëruesja e saj në vitet në vazhdim.
Për më shumë se 1 orë, 24 konkurentët e këtij edicioni, të shoqëruar nga 45 koristë, përcollën me zërat e tyre fëminorë emocione të forta duke rrëmbyer pas çdo interpretimi duartrokitjet e merituara të publikut, por edhe jurisë profesioniste.

Dhe ishte Amber Prodari ajo që u vlerësua nga juria me çmimin “Interpretimi më i mirë” me këngën “Detit tim”. Që në titull kënga e kishte bërë për vete interpretuesen më të mirë.
Për Qendrën Kulturore të Fëmijëve Durrës ky festival që tashmë është kthyer në një traditë të bukur të përvitshme përfaqëson pikën kulmore të aktiviteteve të fundvitit, sepse kurorëzon talentet e reja më të spikatura në këngë.

Bashkëshoqëruese në moderim e drejtoreshës së QKF-së ishte vogëlushja Arbëri Dajko, që në këtë sprovë të parë doli shkëlqyeshëm.
Moment i veçantë i festivalit ishte kënga e interpretuar nga 20 finalistët e këtij edicioni.
Jo më kot ky festival është ndër aktivitetet kulturore më jetëgjata në historikun e QKF Durrës. Zbulimi i artistëve të vegjël mbetet prioritet i punës së stafit të kësaj qendre, që ndër vite ka nxjerrë disa nga artistët e rinj më të talentuar të skenës durrsake e më gjerë.
M.B.





