DURRES– Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe komisariatet vartëse të saj u zhvilluan aktivitete të karakterit festiv, përkujtimor si dhe u shpërndanë stimuj akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shtetit për kontribut të veçantë në këto struktura.

Në aktivitetin e zhvilluar ditën e djeshme pranë Drejtorisë së Policisë Shtetit morën pjesë Prefekti i Qarkut, z.Genc Alizoti, Kryetarja e Këshillit Qarkut znj. Eglantina Begteshi, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve vendore, përfaqësues të OJF-ve, media, nxënës shkollash, studentë, familjarë të punonjësve të Policisë të rënë në detyrë, veteranë policie, qytetarë si dhe aktorë të tjerë me të cilët Policia e Qarkut bashkëpunon gjatë aktivitetit të saj të përditshëm.

Pas përshëndetjes që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shtetit kishte dërguar për gjithë strukturat policore në vend, fjalën e rastin e mbajti Drejtori i Policisë Qarkut, i cili vuri theksin në sfidat 1-shekullore me të cilat Policisë i është dashur të përballet për të arritur në policimin bashkëkohor.

Ai cilësoi progresin dhe punën për përafrimin me standartet policore të homologëve të vendeve të BE.

Më pas përshëndeti lidhur me festën Prefekti i Qarkut, i cili risolli në vëmendje koston që Policisë i është dashur për të përballuar tranzicionin e shekullit të kaluar; jetën e shumë punonjësve policie, të cilët përbëjnë një motivim të fortë për brezat e rinj që militojnë në të.

Përshëndetën më pas efektivët e Policisë, Kryetarja e Këshillit të Qarkut dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës, të cilët përçuan mesazhin se strukturat policore janë ato që kërkojnë një mbështetje e përkrahje jo vetëm nga organet  shtetërore, por edhe nga gjithë komuniteti për shkak të misionit tepër të rëndësishëm që kanë në ruajtjen e  rendit e sigurisë publike.

Prefekti i Qarkut dhe Drejtori i Policisë Qarkut  shpërndanë për dy efektivë të DPQ Durrës dekorata të akorduara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Për të pranishmit u shfaq  një dokumentar mbi historikun 1 shekullor të Policisë Shqiptare.

Me rastin e  festës  u pregatitën e ndanë  2 torta me simbolikë 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe 100-vjetorin e krijimit të Policisë.

Më pas të pranishmit  morën pjesë në një aktivitet me nota festive.

HISTORIKU

Policia shqiptare, e krijuar më 13 janar të  vitit 1913, është ndër institucionet e para të krijuara me një akt të posaçëm të Kryeministrit të asaj kohe të qeverisë së Vlorës, Ismail Qemali. Nga forca Xhandarmërie, në vitin 1919 për herë të parë u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Qetësisë Publike. Fundi i vitit 1944 e gjeti Shqipërinë nën një regjim të ri dhe më 9 dhjetor 1946, Policia Popullore u përcaktua si organ ekzekutiv dhe ishte një prej organeve të diktaturës së proletariatit.