Në Durrës ka nisur takimi i ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen edhe të sekretarit të shtetit të Francës për çështjet evropiane Harlem Desir dhe të nënsekretarit të shtetit në Ministrinë e Jashtme të Italisë, Vincenzo Amendola. Njëkohësisht, në takim kanë marrë pjesë edhe ministri i jashtëm i Çekisë, Lubomir Zaoralek, pasi ai është edhe kryesuesi i radhës i Grupit të Vishegradit, si edhe Goran Svilanovic, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Padyshim që në qendër të takimit janë ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, të cilët do të diskutojnë projektet e bashkëpunimit, para organizimit të samitit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Paris.

Takimi i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor do të zgjasë dy ditë, ku dita e sotme kishte më tepër karakter protokollar, ku ministri i jashtëm Ditmir Bushati, në mjediset e Hotel "Palace", në Durrës, ka pritur gjithë pjesëmarrësit në takim.

K. H.