Mbyllet një krah i rrugës për qarkullimin e makinave 

12 muaj nga nisja e punimeve në rrugën e plazhit në Durrës dhe rruga ngjan me një shesh lufte. Mbyllja e punimeve është është ende disa muaj larg.

Vetëm javët e fundit firma zbatuese e projektit ka nisur punimet në rrugë nga sektori Hekurudha deri në sektorin Iliria, duke bllokuar tërësisht një sens të rrugës, i cili sipas projektit do të jetë në funksion të këmbësorëve.

Ashtu siç u deklarua edhe në fillim të këtij projekti nuk ka kthim pas.

Bashkia e Durrësit ka vendosur që rrugën e plazhit ta kthejë me dy korsi, në funkion të trafikut të makinave. Prej Urës së Dajlanit deri në Hekurudha funksionale do të jetë rruga me dy korsi të vetme vajtje-ardhje në sensin e lëvizjes Durrës-Plepa. Korsia tjetër e rrugës mbyllet dhe do të jetë në funksion vetëm të këmbësorëve.

Sensi i rrugës nga Iliria deri në afërsi të Rrotës së Kuqe, është bllokuar tërësisht, pasi aty ka nisur mbyllja e një sensi të rrugës në krahun Plepa –Durrës, po kështu edhe ndërtimi i rrethrrotullimeve pranë shkollës nëntë vjeçare “Bajram Curri” dhe tek Rrota e Kuqe. Aktualisht është bërë e mundur heqja e asfaltit,por dhe e parkingjeve në rrugë.

Punimet janë duke vijuar ende në rrugët dytësore të zonës, ndërsa trafiku mbetet problem më i madh për të gjithë banorët e plazhit të Durrësit .

Më herët shefi i Urbanistikës në plazhin e Durrësit, Adhurim Qehajaj për këtë projekt ka thënë:

“Rruga ‘Pavarësia’, në zonën e Plazhit, në Durrës, është parashikuar si vijim i rrugës ‘Mars ’91’, që nis nga hyrja e portit e përfundon tek Ura e Dajlanit. Kjo është faza e dytë e punimeve dhe përfundimtare. Është bërë rikonceptimi i kësaj rruge, në të gjithë parametrat e saj, duke e kthyer në një shëtitore për këmbësorët dhe për pushuesit e plazhit.”

Megjithatë, banorët kanë ankesa për parkingjet që mungojnë në projekt, për ngushtimin e rrugës, si dhe për fondet që akordohen për punime që kryhen çdo vit.

Projekti – Ndryshimet në rrugë dhe parkingjet

Projekti parashikon ndërhyrje të artikuluara për moderimin e trafikut, duke filluar nga një ngushtim i përgjithshëm i seksionit të rrugës, nga katër korsi në dy korsi, me karakteristika të ndryshme në pjesë të ndryshme, deri në futjen e gungave të shpejtësisë për vendkalimet e këmbësorëve.

Të gjitha vendkalimet për këmbësorët, të vendosura në pozita tashmë të përfshira në ciklin e projektit në ndërtim e sipër, janë transformuar në vendkalime mbi gunga që veprojnë si vonues shpejtësie dhe rrisin sigurinë.

Ndërkohë, alokimi aktual i parkimit është zgjeruar dhe rregulluar. Dy zona parkimi janë më të qëndrueshme në fillim dhe në fund të zonës së prekur nga projekti. Përgjatë shtrirjes së rrugës, ndikuar nga ndryshimet, janë ruajtur hapësirat e parkimit në skaje me zgjidhje të ndryshme në tipare të ndryshme.

K.H.