DURRËS, 31 tetor 20124 – Flamuri i dronit që u valëvit mbi qiellin e Beogradit gjatë ndeshjes eliminatore të Euro 2016 Serbi-Shqipëri është shndërruar në bluzën më të shitur në tregun industrial të Durrësit.
Në një kohë rekord është bërë stilimi i kësaj bluze në dy variante: ai i origjinalit që u valëvit gjatë ndeshjes dhe varianti i dytë me sfond të kuq.
Sigurisht që në këtë bluzë janë stampuar edhe dy patriotët e mëdhenj Ismail Qemali dhe Isa Boletini, si dhe harta e trojeve etnike, duke mos ia ndryshuar kompozimin, por vetëm ngjyrat në varësi të shijes së blerësve.
Bluza prej pambuku kushton 1 000 lekë, por tregtarët në Durrës nënvizojnë se blerësit e këtij artikulli nuk mendohen për çmimin dhe as nuk diskutojnë kurrë uljen e tij, ndryshe nga sa ndodh me produktet e tjera të ngjashme.
“Ajo që më çudit është dëshira e madhe e rinisë, për të blerë një bluzë të tillë”-thotë një prej tregtarëve.
Në kohën kur tregu po përballet me ulje drastike të fuqisë blerëse hyrja e këtij artikulli në treg mund të konsiderohet si një “paketë antikrizë”, pasi aktualisht është produkti më i kërkuar në dy tregjet industrialë të Durrësit.
Tregtarët tregojnë se ai vazhdon prej ditësh të jetë në listën e një prej artikujve më të shitur dhe më të kërkuar, në Top Listë.
Krahas kufijve të hartës së kufijve natyrorë të shpërndarjes së popullsisë së Shqipërisë natyrore në Ballkan në fushat e të dy tipave qëndrojnë figurat e shquara historike të luftës sonë kombëtare për pavarësinë e vendit.
Një nga shitësit thotë se flamuri mbi bluzë shitet dhe shitet mirë.
Ka pasur shitje të shumta dhe të pandërprera. Po më i kërkuari ka qenë varianti i bluzës me flamurin origjinal si ai që u shpalos mbi stadiumin serb.
Ai thotë se simboli kombëtar në çdo lloj forme që është, është nga më të shiturit dhe më të preferuarit në këtë sezon.
Ai tregon se ky artikull tregtohet edhe nga të tjerë.
Kur pyetet në se do të tregtojë edhe dron, ai qesh dhe thotë se dron nuk do të , sepse ai është për lodrat e fëmijëve.
Si blerësit më të shumtë të kësaj bluze tregtari rendit moshat e reja.
Ndërsa thekson ai, artikujt e tij me flamurë deri tani kanë vajtur në Amerikë, Angli, Gjermani, përgatiten për ndeshjen e Italisë dhe Francës.
Po tashmë pritet që të kapin edhe kufijtë e vendeve të tjera të Evropës Perëndimore nga të rinjtë emigrantë.
Parashikohet, thekson ai, që të ketë edhe një fluks të madh shitjesh kur të vijë skuadra serbe për të luajtur në Shqipëri.
/m. b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





