DURRES– Ka parë t’i qëllojnë vëllain para syve të tij, e ka parë të gjakosur e më pas t’i ndahet nga jeta në moshë të re. Dita e sotme ka qenë më e keqja e gjithë jetës së tij për kambistin 50 vjeçar Haxhi Kotarja, i cili mesditën e sotme humbi vëllanë, pas tentativës së dy personave për t’i grabitur. Ende nën shock dhe shumë i dëshpëruar për humbjen e papritur të vëllait, Haxhiu ka dëshmuar para hetuesve gjithçka ka parë në ato minuta fatale të kësaj të diele të zezë.
Të dy vëllezërit po ktheheshin të drekonin në shtëpi, pas një ditë pune, por pragun e saj vetëm njëri prej tyre e kaloi i gjallë. Haxhiu kërkon tani nga autoritetet shtetërore drejtësi, kapjen dhe ndëshkimin e autorëve, për atë që i bënë të vëllait Fatmirit dhe gjithë familjes Kotarja.
Si ndodhi ngjarja?
Ishim duke u kthyer si gjithnjë në shtëpi për të drekuar. Sapo mbërritëm pranë banesës, unë dola për ta hapur portën që të fusnim mjetin brenda në oborr. Gjatë kësaj kohe dy persona të maskuar na sulmuan. Vëllai (viktima) bëri rezistencë dhe njëri nga autorët e qëlloi me armë, ndërsa në ato momente grabitën çantën brenda së cilës ndodhej shuma prej 2.5 milion lekë të reja dhe u larguan në këmbë mes lagjeve. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Shkova në makinë për të marrë çiften, që e mbajmë gjithnjë me vete, por autorët u larguan me shumë shpejtësi, duke marrë me vete edhe çantën me para që ndodhej në makinë. I ndoqa për disa metra, por më pas u ktheva të shikoja vëllain, që po kërkonte ndihmë. Unë e dëgjova krismën, por nuk mendova kurrë se mund ta kishin qëlluar Fatmirin në trup. Mendova si kishin qëlluar thjesht për ta trembur. Kur u ktheva tek makina pashë vëllain të gjakosur dhe menjëherë vura në dijeni familjarët e tjerë për çka kishte ndodhur.
Çfarë bëtë pastaj?
Mora makinën dhe vëllain dhe u nisa drejt spitalit. Fatmiri ankohej se po humbte shumë gjak, por kur u afruam pranë spitalit nuk iu dëgjua më zëri, pasi kishte ndërruar jetë.
I njihnit personat që ju sulmuan? Mundët të identifikonit ndonjërin prej tyre?
Nuk e kam idenë se kush mund të jenë, pasi kurrë nuk jemi ngatërruar me njeri. Jemi njerëz që shikojmë punën tonë dhe përpiqemi të nxjerrim bukën e gojës me djersë. Asnjëherë nuk jemi ngatërruar me njeri.
Çfarë kërkoni nga organet shtetërore?
Jam shumë i shokuar. Dua që autorët të vihen përpara drejtësisë. Fatmiri ishte njeri i qetë dhe nuk ngatërrohej me njeri.





