Florian Tahiri është emëruar në detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Durrësit, duke i dhënë kështu formë si strukturës së re, ashtu edhe përfaqësimit të forcave të reja politike pjesë e koalicionit qeverisës, kanë konfirmuar për DurrësLajm burime nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Administrata e Bashkisë së Durrësit, pas zgjerimit të saj në territor dhe popullsi, si rrjedhojë e ndarjes së re administrative-territoriale, parashikon katër nënkryetarë. Ndërkohë, në bazë të marrëveshjeve te Partise Socialiste me forcat e tjera politike të koalicionit, dy nga nënkryetarët, të paktën në Bashkinë e Durrësit, do t’u shkojë njëri Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe tjetri Frymës së Re Demokratike.

Florian Tahiri vjen nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, duke u bërë edhe dëshmi e seriozitetit të kësaj force politike për t’u përballur me elektoratin në të ardhmen, me objektivin për të patur rezultate edhe më të mira.

Pas përfundimit të studimeve të larta universita në Milano, të Italisë, dhe specilizimit pasuniversitar në fushën e ekonomisë në Uppsala, të Suedisë, Florian Tahiri ishte i angazhuar si pedagog pranë Universitetit Epoka, në Tiranë. Pikërisht përfshirja e brezit të ri të intelektualëve të edukuar jashtë vendit, theksojnë burimet nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, shihet si një strategji efektive për të ofruar si ekspertizën më të mirë të mundshme në drejtimin e institucioneve publike, ashtu edhe arritjen e rezultateve sa më të larta në përballjet politike me elektoratin.