DURRËS, 31 janar 2015 –  Mbrëmjen e së premtes, më 30 janar 2015, në harkun e orës 18-19:00, qyteti dhe rrethinat e Durrësit u përfshinë nga një fortunal dhe erëra të forta momentale. Këto kushte moti ekstrem goditën sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike, shkaktuan dallgëzime në det dhe dëmtuan shtylla të ndriçimit rrugor të qytetit dhe disa shkulje pemësh.

“SHOKU” ELEKTRIK

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë njofton se mbrëmjen e së premtes, më 30 janar 2015, moti i keq, ku shpejtësia e erës ka arritur deri në 30 metra në sekondë, ka shkaktuar një avari në nënstacionin Shkozet-Shijak, duke dëmtuar degëzimin te kantina e verës. Për pasojë, kanë mbetur pa energji disa komuna në Tiranë (komuna e Bërxullës, sidomos fshatrat Gjokaj, Gërdec, Marikaj) e Durrës (bashkia e Manzës, komunat e Katundit të Ri dhe Xhafzotajt, sidomos fshatrat Rreth, Maminas, Romanat, Shkallnur, Gjepalaj, Hamallaj), lagjet nr. 8 dhe 12 të qytetit të Durrësit për rreth 2 orë e gjysmë, zona e Porto Romanos ku është detektuar linja 35 kilovolt, linjat e Shijakut dhe Kavajës. Brigadat e avarisë kanë eliminuar defektet. Kurse, të shtunën më 31 janar 2015, OSHE-ja njofton se era e fuqishme ka shkaktuar avari dhe në nënstacionin Shijak-Fllakë, duke lënë pa rrymë tri subjekte private (Rrobaqepësi, Metali; Materiale ndërtimi’).

PA NDONJË PROBLEM PORTI

Në portin e Durrësit, përveç rrëzimit të disa tabelave sinjalistike dhe ndërprerjes për rreth një orë të energjisë elektrike, nuk ka pasur probleme, konfirmuan për “Dyrrah”-un (durreslajm.com) Kapiteni i Porteve Hysni Aruçi dhe zëdhënësi i drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës, Gëzim Kabashi. Natën e fortunalit, 30 janar 2015, ora 18-19:00, me shpejtësi ere momentale prej 30 metra në sekondë dhe dallgëzim në det deri 6-7 ballë, në port ishin marrë të gjitha masat për sigurimin e mjeteve dhe dy trageteve të linjës Durrës-Bari dhe të së vetmes anije mallrash që po ngarkon 25 mijë tonë klinker në Terminalin Lindor. Natën e 30 janarit 2015, dy tragetet (“AF Claudia Prima” dhe “Rigel I”) u nisën në orar dhe u bregëzuan në Durrës, 31 janar 2015, “Rigel I” 10 minuta para orarit dhe (“AF Claudia Prima” me dy orë e gjysmë vonese (10:30). Për shkak të kushteve të paqëndrueshme është bllokuar dalja e anijeve të peshkimit. 

GJËRA TË VOGLA NË QYTET E PLAZH

Reshjet e shiut dhe erërat e forta të së premtes, 30 janar 2015, kanë sjellë disa probleme në qytetin bregdetar, me disa dëme në rrugë. Drejtori i ndërmarrjes Rruga të bashkisë së Durrësit, Sotir Ngresi i tha Dyrrah”-ut (durreslajm.com), se janë rrëzuar dy shtylla të ndriçimit rrugor, një përballë spitalit rajonal publik dhe një në sheshin te “Vollga”; këtu, buzë detit janë dëmtuar (shtrembëruar) 7-8 shtylla, të cilat mund të drejtohen. Tek-tuk ka pasur shkulje pemësh, kurse në rrugën e Plazhit janë dëmtuar disa pemë të vogla dekorative që vendosen në mes, për të cilat po kujdeset firma private që po merret me realizmin e korsive të biçikletave. Ngresi tha se nuk ka asgjë për t’u alarmuar.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/