DURRËS, 8 maj 2014 – Gati çereku i qeverisë shqiptare (Niko Peleshi, Mirelë Kumbaro, Eglantinë Gjermeni, Milenë Harito, Arben Ahmetaj) “zbarkon” në hotel Adriatik në Durrës të premten dhe të shtunën, më 9 dhe 10 maj 2014, në një forum ndërkombëtar mbi ekonominë krijuese dhe zhvillimin me mend në kokë (smart).
Bëhet e ditur se Instituti “Adriapol”, në bashkëpunim me universitetin “Marin Barleti” të Tiranës, nën patronazhin e lartë të Kryesisë së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, organizon në datat 9 dhe 10 maj në Durrës, Forumin e Parë Ndërkombëtar mbi Creative Economy dhe Smart Development (shih posterin).
Forumi do të shërbejë për të hedhur themelet për nismat e ardhshme dhe bashkëpunimin në fushën e ekonomisë kreative midis Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Kosovës, Maqedonisë etj.
Gjatë këtij aktiviteti do të diskutohet për bashkërendimin e niveleve vertikale të qeverisjes dhe politikave, si dhe harmonizimi i aktorëve dhe faktorëve të sektorëve të ndryshëm ekonomikë, socialë dhe kulturorë nëpër rrethe dhe qytete; promovimin e zhvillimit ekonomik në zonën Adriatik, Jon dhe Mesdhe nëpërmjet krijimit të sinergjive dhe partneriteteve në kuadër të projekteve dhe zhvillimit evropian; përdorimin e programeve mbështetëse të BE-së për të nxitur potencialin e kulturës, inovacionit dhe industrisë për zhvillimin në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar; strategjitë dhe politikat për një ndërveprim të qëndrueshëm ekonomik ndërsektorial krijues si dhe ringjalljen e ekonomisë përmes promovimit të markave të kulturës rajonale, turizmit dhe industrive që lidhen me to.
Megjithatë forumi është tejet italo-shqiptar, me folës kryesorë, kurse Greqia, Maqedonia dhe Kosova përfaqësohen me nga një folës; këto dy të fundit me kryetarë të komunave të Tetovës dhe Prishtinës.
Sipas programit, parashikohet të diskutojnë Niko Peleshi, zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë; Mirelë Kumbaro Furxhi, ministre e Kulturës; Piero Liuzzi, senator, presidenti i “Consortium Consulting Puglia” (Itali); Gianfranco Simoncini, ministër Rajonal për Aktivitetet Prodhuese, Kreditë dhe Punën, Rajoni Toscana (Itali); Dorian Jano, universiteti “Marin Barleti (Shqipëri); Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës (Kosovë); Simone D’Antonio, “Cittalia’’, Anci (Itali); Eglantinë Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit; Paolo Casalino, shefi i Rajonit të Puglia-s, Përfaqësia në Bruksel (Itali); Marco Masi, koordinator kërkimesh, Rajoni Toscana (Itali); Esmeraldë Hasani, drejtore e “Adriapol Forum”; Vincenzo Bellini, presidenti i “Distretto Produttivo Puglia Creativa’’ (Itali); Luigi De Luca, zëvendëspresident i “Apulia Film Commission” (Itali); Stefano Cristante, dekan i Fakultetit të Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Salentos (Itali); Ismail Ademi, drejtor i Programit të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (Shqipëri); Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes; Loredana Capone, këshilltare për Zhvillimin Ekonomik; rajoni Puglia (Itali); Jorgest Kovaçi, drejtor i “Adriapol Institute” (Shqipëri); Massimo Gaiani, ambasador i Italisë në Tiranë; Paolo Rago, anëtar i bordit i universitetit “Marin Barleti”; Gianni Schiavone, drejtor i “Consortium Consulting Puglia” (Itali); Ioannis Ganas, zëvendëspresident Institutit Arsimor Teknologjik (Greqi); Milenë Harito, ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike e Republikës së Shqipërisë; Lucio Caporizzi, drejtor i Programimit, Inovacionit dhe Konkurrencës Umbria (Itali); Spartak Bagllamaja, shef i departamentit të Arkitekturës, UMB; Anjezë Llubani, koordinatore e departamentit të Arkitekturës, UMB (Tiranë); Teutë Arifi, kryetare e komunës së Tetovës (IRJ Maqedonisë); Daniele Scavaortz, drejtor i përgjithshëm i Veneto Bank; Valentinë Ndou, Ass.Prof. departmenti i Teknologjisë dhe Inovacionit, Universiteti i Salentos (Itali); Marco Mancarella, zëvendësdrejtor i Laboratorit për eGovernment, Universiteti i Salentos (Itali); Nevilë Malaj, arkitekte; Oltjon Lugo, arkitekt.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





