Durrës, 8 maj 2014 – Familja Biba, nga fshati Domgjon i Mirditës prej 13 vitesh jetonin në Sektorin Rinia, në Durrës. Krimi i dyfishtë i regjistruar mesditën e sotme në fshatin e tyre të origjinës ka shokuar fqinjët e tyre, të cilët i njihnin për njerëz punëtorë dhe të qetë.

Ata shprehen se kanë mbetur të tronditur, kur kanë dëgjuar në televizor se 50-vjeçari Mark Biba kishte vrarë gruan e tij, Gjysten me thikë dhe më pas kishte varur veten në pemë.

Mark dhe Gjyste Biba ishin nisur dy ditë më parë drejt fshatit Domgjon në Mirditë, për t’u kujdesur për mbjelljet e pranverës në tokën e tyre. Çifti kishte dy fëmijë, një djalë 20 vjeçar dhe një vajzë 17 vjeçe.

Marku me të birin merreshin me peshkim, pasi ishin të papunë, ndërkohë që vajza punonte në një rrobaqepësi. Fqinjët tregojnë se çifti nuk ka pasur konflikte dhe u duket pak e çuditshme që ngjarja të ketë ndodhur për arsye xhelozie.

Motivi i vrasjes dhe vetëvrasjes nga xhelozia duket se e mbështet një letër e lënë nga kryefamiljari, para se të kryente aktin ekstrem. Sipas policisë së Mirditës në letrën që kryefamiljari ka lënë për fëmijët u kërkon atyre të mos mërziten: “Fëmijët të jetojnë të qetë, megjithëse unë e kam kryer këtë krim; kush ngre krye, do t’i këputet”.

E ndërsa krimi i dyfishtë tronditi banorët e fshatit Domgjon, si dhe fqinjët e çiftit Biba në Sektor Rinia në Durrës, ajo që e bëri këtë ngjarje edhe më tragjike ishin pamjet e shfaqura nga mediat, ku trupat e dy të vdekurve u transportuan në morg me një kamion!

Të mbuluar me një batanie, hedhur në një cep të rimorkios së hapur, ku duken mbetjet e të gjitha mallrave që janë transportuar nga ky kamion, dy viktimat e fatit të tyre e meritonin së paku të përcilleshin si njerëz me një ambulancë apo çfarëdolloj mjeti tjetër të mbuluar së paku në terrenin e vështirë.

Pamjet janë shokuese, tronditëse për mungesën e respektit të treguar ndaj kufomave përpara sesa ata të prehen në banesën e fundit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/