DURRËS, 6 gusht 2014 –  Durrsakët dhe pushuesit patën një “Ftesë në ferr”, një përzierje densi, instalacioni dhe muzike të llojit latino-amerikan zarabanda (sarabande) të martën, më 5 gusht 2014, në muret e një prej ikonave të Durrësit, sikurse është Tora Veneciane.

Dy artistë të mirënjohur, piktorja Lumturi Blloshmi dhe koreografi Gjergj Prevazi (në foto) e kanë sjellë artistikisht kalvarin njerëzor përmes imazheve artistike dhe densit “Zarabanda-Ftesë në ferr”.

“Kemi zgjedhur këtë titull pasi kjo shfaqje u bën homazh gjitha vuajtjeve njerëzore të njerëzve dhe popujve që nga lashtësia”, shpjegoi koreografi durrsak me famë evropiane z. Gjergj Prevazi.

“Në vëmendje të "Zarabanda + Ftesë në Ferr" është ideja e kalvarit të vuajtjeve njerëzore që në kohën e antikitetit deri më sot, ndaj dhe si vend për zhvillimin e aktivitetit u përzgjodh një monument kulture si Tora Veneciane”, pohon koreografi Prevazi.

Aktualizimi

“Zarabanda + Ftesë në Ferr” me instilacionet e saj përcolli dhe imazhe si shtete, njerëz, foto që të kujtonin varret masive nga luftërat.

Koreografi Gjergj Prevazi thotë:

“Njerëzit e ikur nga luftërat, mundimet e Krishtit, simbiozë e kalvarit të vuajtjeve njerëzore. Kjo veprimtari u realizua në një kohë kur shoqëritë sot në botë po përjetojnë dhe luftëra që po zhvillohen dhe ky aktivitet vjen pasi të tilla imazhe të tmerrshme janë të freskëta. Para disa vitesh përjetuam luftën që u bë në Kosovë, dhe sot kemi luftën në Gaza. Ajo që përjetohet është e tmerrshme, dhe ndaj dhe aktiviteti përcjell mesazhe mbi vuajtjet njerëzore”.

Në këtë veprimtari elitare, interpretuan artistët si Elton Cefa, Akreoma Saliu, Elona Zyberi, Robert Nuha, Glodian Imeraj, Rreze Qerreti, Evisa Lazri, por nuk munguan dhe artistët e huaj mes tyre përmendim Rosella Pellicciotti.

Densi përcolli te publiku artistikisht intensitetin e vuajtjeve njerëzore dhe ferrit të krijuar mbi tokë nga vetë njerëzit, duke mbështetur imazhet e punimeve të artistes Blloshmi të realizuara në lëkura portokalli.

Projekt i menduar para 4 vitesh

Premiera që ndërthuri bukur artin e Blloshmit të projektuar në muret e Tores Veneciane me koreografinë e Prevazit dhe lëvizjet e 8 kërcimtarëve u mirëprit nga qytetarët durrsakë dhe pushuesit e shumtë që frekuentojnë qytetin në këtë sezon.

Pak para fillimit të aktivitetit, i cili startoi në orët e mbrëmjes sw 5 gushtit 2014, koreografi Gjergj Prevazi pohoi:

Instalacion dhe dens-performancë, gjithçka për të ndërtuar këtë aktivitet. Ka qenë i menduar që para 4 vitesh nga artistja Lume Blloshmi, e cila me disa punë të saj me lëkura portokalli ka krijuar kompozime në një hapësirë të caktuar, që  projektohen në murin e Torrës Veneciane”.

Jo vetëm dy artistët Prevazi dhe Blloshi janë pjesë e realizimit të këtij aktiviteti, pasi dhe artisti Olson Lamaj ndihmoi për punët grafike të kësaj ekspozite.

Gjithçka sa u përcoll nëpërmjet tingujve muzikorë, pjesa muzikore mbante emrin e kompozitorit të njohur botëror, norvegjezit Jan Garbarek (lindur në vitin 1947).

Kjo ekspozitë me dens-performancë është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Durrësit, Aleanca dhe Ambasada Franceze.

Shënim: Fotot janë të fotografëve-kameramanë Nebi Vlashi dhe Tristan Sherifit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/