DURRES, 5 maj 2013– Një investim i ri në rrjetin e ujësjellësit në bashkinë e Sukthit bën të mundur furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerje për banorët e një prej lagjeve më problematike të saj. Banorët dhe bizneset e lagjes “Stallë” janë përfituesit  e këtij investimi prej 15 milion lekësh nga fondet e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës.

Furnizimi i vazhdueshëm me ujë të pijshëm bëhet përmes lidhjes me rrjetin e ri vetëm pasi konsumatorët debitorë shlyejnë detyrimet që i kanë shoqërisë, detyrime të cilat mund të shlyhen edhe me këste. Shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës ka shtuar ndjeshëm numrin e investimeve duke zgjeruar sipërfaqen e saj të shërbimit për popullatën. Në afro 3 vjet në rajonin e Durrësit shoqëria deklaron se ka shtruar mbi 136 km tubacione, si dhe katërfishuar orarin e furnizimit me ujë në mënyrë progresive.

Ndërkohë kanë përfunduar 8 projekte për njësitë vendore të Manzës, Sukth, Ishëm, Katund i Ri, Xhafzotaj, Maminas, Prezë dhe Rrashbull. Një pjesë e këtyre projekteve do të realizohet nga fondet e UKD-së dhe pjesa tjetër nga buxheti i shtetit. Këtë vit, përmes investimeve të reja, Ujësjellësi është zotuar ta ccojë në 92 130 persona ose 18 400 numrin e familjeve përfituese të furnizimit pa ndërprerje me ujë të pijshëm. Pavarësisht problematikës së qytetit të Durrësit në furnizim prej vitesh, përfituesit e furnizimit 24 orësh me ujë janë zonat ku rrjetet e shpërndarjes po ngrihen nga fillimi dhe përballojnë komunitete të vogla banorësh.

Qyteti i Durrësit me numrin më të madh të banorëve dhe nevojat më të mëdha për konsum duhet të presë zbatimin e një projekti të madh, që është deklaruar, gjatë një takimi prezantues në qarkun e Durrësit, të realizohet në fund të vitit 2017, nëse do të marrë mbështetjen financiare të Bankës Botërore dhe nëse lojërat e pushtetit nuk do e shmangin këtë projekt për në një tjetër kohë, në funksion të "qëndrueshmërisë" së premtimit dhe zhvendosjes në kohë të realizimit. Kjo do e bënte premtimin për ujë 24 orë një ëndërr.

/v.q. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/