Durrës, 31 mars 2014 – Furnizonte të dënuarit dhe të paraburgosurit me drogë, prangoset 20 vjeçari. Florian Qamo, banues në Durrës është kapur në flagrancë nga forcat e rendit, paraditen e së dielës, ndërsa po hidhte nga jashtë mureve të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimit Penal qese me kanabis për të dënuarit.

“Rreth orës 11.20 të ditës së dielë, Florian Qamo është kapur në flagrancë nga shërbimet e patrullës së Policisë Durrës, duke hedhur në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës dy qese të mbjeshtjella me natriban, brenda së cilave gjendej lëndë që për nga karakteristikat dyshohet si narkotike e llojit kanabis sativa. Pas peshimit kjo lëndë rezultoi në masën e 69 gramëve”,- thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, së bashku me Qamon, ishin edhe dy të rinj të tjerë, për të cilët policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin  tip Benz  me targa DR 0965 D, të drejtuar nga 18 vjeçari V.H. dhe ku ndodhej si pasagjer 24 vjeçari N.L. janë gjetur dhe sekuestruar rreth 1,5 gr kanabis sativa.

Kohët e fundit ishte kthyer në praktikë, që persona të caktuar të fusnin në ambientet e ajrimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve sasi të vogla lënde narkotike, kryesisht kanabis sativa. Vetëm dy ditë më parë, policia gjeti në qelinë e 27 vjeçarit Andi Zoga 1 gram heroinë. Ndërkohë në dy raste të tjera, gardianët e paraburgimit kanë gjetur në vendin e ajrimit qese me kanabis të hedhura nga jashtë mureve të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/