Drejtoria e Shëndetit Publik në Durrës ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese në popullatën e qytetit e kryeisht tek gratë, për depistimin dhe parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit.   

Elena Kondakçiu, përgjegjëse për edukimin shëndetësor pranë kësaj drejtorie, i bëri apel të gjitha grave që të kontrollohen e të kryejnë analizat rregullisht për të parandaluar apo kapur në kohë sëmundjen e kancerit të gjirit, sëmundje e cila ka shënuar rritje të dukshme në popullatë.

Shpërndarja e broshurave informuese, si dhe bisedat e drejtpërdrejta me gratë e interesuara, ishte mënyra e menduar nga organizatorët për realizimin e fushtës ndërgjegjësuese.

Në këtë fushatë sensibilizuese, morën pjesë edhe disa organizata jofitimprurëse. Parandalimi mbetet çelësi kryesor për të shpëtuar jetë nga kjo sëmundje e rëndë.

K.H.