Durrës, 13 gusht 2014 – Futbolli i fermave në Shqipëri po merr një tjetër dimension dhe pas kualifikimit historik të kombëtares shqiptare në një fazë eliminatore të një Kupe Bote, tashmë po projektohet hapja e klasës së parë të futbollit në një shkollë sportive. Është pikërisht shkolla e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia” në qytetin e Durrësit, që kërkon të implementojë sezonin e ri edhe klasën sportive të futbollit për femra.
Kjo shkollë është e njohur në botën e sportit në Shqipëri pasi nga dyert e saj kanë dalë sportistë të elitës si Mirela Manjani, Adriatik Hoxha, Luiza Gega, Kreshnik Qato, apo edhe futbollistët aktualë Gëzim Krasniqi, Rustem Hoxha etj. Nisur nga kërkesat e shumta për masivimin e futbollit të femrave, drejtoria e shkollës ka marrë miratimin nga Ministria e Arsimit që këtë vit të hapet klasa e parë e futbollit për gjininë femërore. Drejtori i këtij institucioni, Artur Velaj tregon iniciativën e ndërmarrë.
“Kemi paraqitur programin në Ministrinë e Arsimit, gjë që është pritur mirë, dhe këtë vit hapim klasën e parë për futbollin e femrave. Nxënëset pjesëmarrëse do të kenë shumë përfitime, pasi në të ardhmen mund të bëhen asistente trajnerësh, gazetarë sportive apo edhe analiste të futbollit”.
Nga bankat e kësaj shkolle ka dalë edhe futbollistja e ekipit kombëtar të drejtuar nga Altin Rraklli, Lucie Gjini, e cila pavarësisht se aktivizohet në sportin e futbollit, ka përfunduar shkollën për volejboll. Lindur nga kjo problematikë, por dhe dëshira për të ushtruar sportin e bukur të futbollit po projektohet hapja e kësaj klase edhe për femrat, e cila do të jetë gjithëpërfshirëse në rang gjeografik.
“Në shkollën tonë do të pranohen nxënëse jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia”,- thote Velaj.
Në ditët e para të muajit shtator është parashikuar nga stafi drejtues i shkollës së mjeshtërisë sportive “Bernardina Qerraxhia” që të kryhen normat e nxënësve që do të afrohen në këtë klasë sportive.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





