Kushdo që 2 javët e fundit ka bërë shëtitje pranë Konvaleshencës i ka rënë në sy kantieri i ndërtimit në sektorin “Iliria”.
Aty po merr jetë projekti ambicioz për ndërtimin e shëtitores së plazhit nga Ura e Dajlanit deri në godinën e Konvaleshencës.
Një projekt ky që do t’i shërbejë Durrësit, që turizmin e ka motor të ekonomisë dhe lagjen nr.13 një ndër “fytyrat” e qytetit për turistët e shumtë që e vizitojnë.
Detajet i dha në një prononcim për “DurrësLajm” kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako.
“Është një projekt që financohet nga qeveria shqiptare dhe do të fillojë nga zona e Kavalishencës deri tek Ura e Dajlanit në një shtrirje prej rreth 3 km. Faza e parë është financuar, është lidhur kontrata dhe në terren ne kemi grupet e punës, të cilët po bëjnë lirimet e shesheve.
Projekti në vetvete parashikon jo vetëm shëtitoren, por në fazën e dytë, për të cilën ne do të bëjmë shumë shpejt kërkesën për financim, do të bëjmë të mundur vazhdimin e shëtitores dhe lidhjen deri tek Ura e Dajlanit, por edhe rikonstruksionin e komplet vijës së parë”, tregoi ndër të tjera ajo.
A është ky një investim që i shërben vetëm bizneseve?
Kryebashkiakja shpjegon se ai “i shërben jo vetëm turizmit, por edhe banorëve që jetojnë gjatë gjithë vitit në zonën e plazhit, si dhe një numri të lartë hotelesh, që nuk janë sezonalë”.
Duke folur për afatet e përfundimit të punimeve, Sako thekson se ky projekt ka sjellë me vete një sfidë dhe risi, që në punimet e saj të mëparshme bashkia nuk i ka hasur.
Këtë pohon edhe Rigers Mina, inxhinier i zbatimit të projektit. Ai thotë se në fund të fazës së parë, pjesa më e madhe e infrastrukturës do të jetë e përfunduar.
Projekti do të realizohet nga bashkimi i 2 kompanive “Curri” sh.p.k dhe “Xhengo” sh.p.k, të cilat u shpallën fituese të tenderit të zhvilluar pak muaj më parë me vlerën 285 milionë lekë.
K.Gj.