DURRËS, 9 maj 2014 – Brenda qershorit 2014, pas mbi 20 vjet, rivihet në punë degëzimi hekurudhor i fabrikës “Miell Tirana” në Lushnjë, bën të ditur drejtori i përgjithshëm i kompanisë publike Hekurudha Shqiptare (HSH) sha, Genc Alizoti.
Në vitin 2014 hekurudhës i kanë “trokitur në derë” klientë, të cilët kërkojnë të transportojnë hekur-nikel nga jug-lindja e vendit në portin e Durrësit, apo shllam e ferro-krom nga Elbasani, kështu dora-dorës po rimarrin frymë shinat shqiptare, me një rritje të trafikut, duke ndikuar pozitivisht në përmirësimin e treguesve financiarë të raportit të ardhura-kosto shfrytëzimi.
Durrësi “komandon” trenat nga kufiri me Malin e Zi deri në Ballsh e Pogradec, në drejtorinë e përgjithshme ekzekutive të shoqërisë publike / shtetërore Hekurudhat Shqiptare me seli në qytetin bregdetar, ndjehet lëvizje për të hyrë në transportin e mallrave me tarifa konkurruese, gjë që ka joshur bizneset vendase dhe të huaja.
Peshën kryesore e mban transporti ndërkombëtar që kryhet nëpërmjet stacionit të skajit veriperëndimor, Bajzës (Malësia e Madhe), kjo për faktin se distancat e gjata janë rentabël, ulin shpenzimet dhe rrisin të ardhurat.
Mallrat kryesore të transportit të jashtëm janë hekuri skrap dhe qymyri koks për kompaninë metalurgjike turke Kurum në Elbasan në itinerarin Bajzë-Elbasan me një distancë transporti prej 220 km dhe Durrës-Elbasan (72 km); mallra ushqimore dhe industriale, që transportohen në rrethinat e Tiranës me distancë prej 120 km; gruri rinfuso Bajzë-Sukth me distancë 130 km.
Tërheq vëmendjen dhe fakti se në qershor 2014 gruri i importit do të dërgohet drejtpërdrejtë në stacionin e Lushnjës, duke rritur me 65 km të distancën; sipas burimeve zyrtare, po vihet në gatishmëri ish-degëzimi industrial hekurudhor, rreth 20 vjet jashtë funksionit, kështu vagonët me grurë do të përpunohen drejtpërdrejt në siloset e fabrikës.
Ka kërkesa që të transportohet me cisterna hekurudhore naftë bruto nga Ballshi në Bajzë-Pançevo të Serbisë me distancë 250 km.
Fabrika e çimentos e kompanisë libaneze Seament Fushë-Krujë eksporton prodhimet e veta në vendet e Ballkanit me trena në distancë 120 km deri në Bajzë.
Ky rigjallërim mbështetet në riaktivizimin e linjave hekurudhore të kalatës lindore në portin e Durrësit; përfundimin e investimeve në terminalin Tirana Logistic Park, në të cilin po ndërtohen magazina për depozitimin e mallrave që do të vijnë nga importi (me fondet e buxhetit të shtetit këtu janë ndërtuar linja hekurudhore, të cilat lidhen me rrjetin hekurudhor shqiptar); mineralit të kromit nga stacioni i Milotit në uzinën ferro-kromin Elbasan, dhe prej këtej në portin e Durrësit; inerteve nga ish-stacioni hekurudhor i Koplikut në drejtim të Vorës etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah” /





