Gjeli i detit, simboli i tryezave shqiptare për Vitin e Ri, duket se do të mungojë këtë vit në shumë tavolina festive.

Çmimi i lartë, deri në 12 mijë lekë të vjetra kilogrami, e bëjnë atë një mall të ndaluar sidomos për pensionistët.

Tre ditë para natës së ndërrimit të viteve, çmimet e produkteve në markatën e fruta perimeve të Durrësit kanë nisur rritjen. Tendenca në rritje pritet të vijojë edhe në ditët e mbetura para datës 31, duke ia pamundësuar blerjet, sidomos personave me të ardhura të kufizuara.

Megjithëse në këto ditë të fundit të vitit, tregu i fruta perimeve ka më tepër lëvizje, tregtarët pohojnë se fuqia blerëse është e ulët.

Rikthimi i emigrantëve për të kaluar festat e fundvitit pranë familjes duket se nuk plotëson boshllëkun e krijuar nga largimet masive të popullsisë aktive. Megjithëse tregu është i tejmbushur më produkte bujqësore, trastat e konsumatorëve janë gjithnjë e më pak të mbushura.  

M.B.