DURRËS, 28 nëntor 2013 – Policia kufitare e Durrësit njofton se rreth orës 11:30 të 28 nëntorit 2013 u gjet në Currila trupi i dytë i pajetë i peshkatarit Ram Metalia, 50 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës. Ndërkohë trupi i shtetasit Ndue Gjoka, 55 vjeç, banues, po në lagjen nr. 13 u gjet më parë. Më datë 27 nëntor 2013, rreth orës 23;00, policia kufitare njofton se rreth 1 milje larg kalatës nr. 0 të portit të Durrësit është konstatuar në det një barkë e vogël pa njerëz në të. Nga verifikimet rezultoi se me të kishin dalë për gjueti dy shtetasit, trupat e pajetë të të cilëve u gjetën në det; dyshohet se kemi të bëjmë me mbytje. Vijojnë veprimet procedurale për zbardhjen e plote të rrethanave të ngjarjes. Gjatë orëve të mbrëmjes së 27 nëntorit 2013 në Durrës është mbytur një varkë me dy peshkatarë. Policia Kufitare bëri të ditur se është njoftuar nga familjarët rreth orës 20:00 të ditës së mërkurë për humbjen e kontakteve me dy peshkatarë, që kishin dalë me një sanall. Peshkatarët ishin nisur drejt zonës së Golemit. Policia Kufitare nisi menjëherë kërkimet në det të hapur.

 

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/