Një zgjidhje provizore për ish-hotel Vollgën ka marrë udhë prej disa ditësh.

Kati i parë i saj ka nisur të mbushet me blloqe betoni duke penguar kështu hyrje-daljet e endacakëve dhe emigrantëve në godinën ikonike të qytetit, por edhe degradimin e mëtejshëm të ndërtesës 3 katëshe, që ishte kthyer prej kohësh në banjo publike.

Deri më tani nuk kemi një përgjigje zyrtare se kush po ndërhyn për mbylljen e katit të parë të ish-hotelit, që deri në vitet ’90 ishte një nga krenaritë e qytetit bregdetar.

Siç duket edhe nga pamjet filmike që ‘DurrësLajm” po publikon, punimet janë në proces, pasi në ambientet e jashtme të godinës ka ende blloqe të shumta betoni, që do të izolojnë hyrjet e tjera të ndërtesës.

Ish-hoteli ishte kthyer vitet e fundit në turpin e qytetit, pasi syrit të mijëra turistëve të huaj që vizitonin monumentet kulturore të Durrësit nuk mund t’i shpëtonte degradimi dhe gjendja e mjeruar në të cilën ndodhet ndërtesa gati 85-vjeçare.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 21 maj, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se po punohet për të gjetur një zgjidhje konkrete për fasadën e ndërtesës.

“U kemi kërkuar donatorëve të ndryshëm në rast se mund të bashkëpunojnë me bashkinë e Durrësit për të vendosur promocionin e produkteve të tyre për ta mbuluar si objekt”.

Problemet pronësore të zvarritura për shkak të proceseve gjyqësore dhe bastisja që ju bë godinës ndër vite, e ktheu ish-hotelin e dikurshëm në karakatinën e historisë moderne të Durrësit, të pas viteve ’90.

M.B.