Ekskluzive / Delegacioni nga OHL Construcción kryesohej nga zëvendëspresident dhe drejtor i përgjithshëm ekzekutiv z. Josep Piqué, tri herë ish-ministër në shtetin iberik

– U diskutua për mundësinë e dhënies koncesion të terminalit të mallrave gjenerale dhe zhvillimit të zonave të lira në port sikurse janë territori i ish-kantierit detar, portit të peshkimit, por edhe kalatat 12 dhe 13 në vazhdim të Terminalit Lindor, që aktualisht janë thjesht një mur me gurë.

 

DURRËS, 24 korrik 2014 –  Një nga grupet më të fuqishme në botë në fushën e ndërtimeve, kompania spanjolle OHL hedh sytë për investime dhe në portin shqiptar të Durrësit.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i ndërmarrjes publike APD (Autoriteti portal Durrës), z. Selim Belortaja pranoi të informojë “Dyrrah”-un mbi vizitën, në pasditen e 22 korrikut 2014, të një delegacioni nga grupi i madh spanjoll i ndërtimeve OHL (Obrascón Huarte Lain) Construcción SA të Madridit, që shoqërohej nga ambasadorja e re e Mbretërisë së Spanjës në Republikën e Shqipërisë, Shkëlqesia e Saj Silvia Corés Martin.

Këtë fakt ende APD-ja nuk e ka bërë publik në sajtin e vet, ndërkohë që “durreslajm.com”-i ka mësuar nga burime të tjera se delegacioni është pritur dhe nga ministrat zz. Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj dhe Edmond Haxhinasto, por që as zyrat e shtypit të katër dikastereve nuk kanë njoftuar.

Ndoshta për faktin se ky delegacion bëri një tur treditor (21-23 korrik 2014), jozyrtar, ndonëse kryesohej nga z. D. Josep Piqué Camps, i cili nga 1 tetori 2013 është zëvendëspresident i dytë dhe drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i OHL-së.

Z. Josep Piqué ka qenë një nga figurat më të shquara të ekonomisë dhe politikës spanjolle (ish-Ministër i Industrisë dhe Energjisë në vitet 1998-2000; Ministër i Punëve të Jashtme në vitet 2000-2002; Ministër i Shkencës dhe Teknologjisë në vitet 2002-2003; deri kryetar i formacionit politik të djathtë Partia Popullore e Katalonjës në vitet 2003-2007; kongresmen dhe senator.

Delegacioni spanjoll ka ardhur në Shqipëri me sugjerim të Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë z. Ditmir Bushati për të eksploruar mundësitë e investimeve në vendin ballkanik.

Natyrisht, porti i Durrësit është “liliput” për OHL-në gjigante, një nga kompanitë koncesionare më të mëdha të ndërtimit në botë me veprimtari në 30 vende të ndryshme dhe përvojë mbi njëqindvjeçare (kompania ndërtimi, e dhjeta në botë në infrastrukturën e transportit dhe e njëzet e treta midis mbi 225 kontraktuesve ndërkombëtarë, sipas renditjes nga Engineering News Records (ENR) 2013; lider në ndërtimin e spitaleve dhe hekurudhave, projektet e porteve detare, aviacion etj.

Drejtuesit e APD-së dhe OHL-së diskutuan për mundësinë e dhënies koncesion të terminalit perëndimor (i mallrave gjenerale) ende i paprivatizuar, dhe zhvillimit të zonave të lira në port sikurse janë territori i ish-kantierit detar, portit të peshkimit, por edhe kalatat 12 dhe 13 në vazhdim të Terminalit Lindor, që aktualisht janë thjesht një mur me gurë.

Delegacioni i kompanisë spanjolle tregoi interes për çka u ofrua dhe u premtua dërgimi i një delegacioni teknik për të parë situatën në vend dhe hartim projektesh.

U vu në dukje se porti i Durrësit ka disa kufizime, pasi ai aktualisht është port qyteti, që nuk ka hapësira për shtrirje.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/