DURRËS, 12 korrik 2014 –  Më 14-15 korrik pritet të bregëzohet në kalatën nr. 11 të Terminalit Lindor një anije gjigante me gjatësi 182.71 m dhe gjerësi 28.45 m, me aftësi mbajtëse 20 904 tonë, por që e ngarkuar ka një tonazh 34 800.

Sipas raportit ditor të datës 12 korrik 2014, ora 16:37, të dispeçerisë së Autoritetit Portual Durrës sha, priet të bregëzohet më 15 korrik 2014 (sipas njoftimit me Sistemin e Identifikimit Automatik AIS, më 14 korrik 2014, ora 16:00, koha e Shqipërisë) anija Infinity me flamur liberian (port regjistrimi: Monrovia), por në pronësi dhe menaxhim të kompanisë së madhe turke Makro Shipping të Stambollit.

Kjo anije do të ngarkojë 19 mijë tonë krom në kalatën nr. 11 të Terminalit Lindor të portit kryesor të vendit.

Info

Infinityështë e tipit të transportuesve të mallrave të papaketuara ose të derdhura /  rinfuse [jo rifuxho siç përdoret rëndom gabimisht fjala italisht rifugio që ka kuptimin strehim (për anijet e këtij tipi anglisht: bulk carrier; italisht: portarinfuse)].

Fatmirësisht, pavarësisht përmasave të mëdha (182.71 m x 28.45 m, tonazh plot 34 800), Infinity ka një zhytje prej 5.8 m, gjë që mundëson përpunimin në portin e Durrësit, ku në kalatën 10 thellësia maksimale është 11 m, kurse në kalatën 11 varion në 7.3-9.9 m.

Është ndërtuar në vitin 1985 në kantierin A&P Group, Sunderland, Britania e Madhe.

Anija Infinity, që ka një shpejtësi maksimale / mesatare 9.3 / 8.3 nyja, në orën 17:53 të datës 12 korrik 2014 ndodhej në detin Egje, në koordinatat 36.40785 / 22.78541 në rrugën drejt Durrësit; më 6 dhe 17 qershor 2014 ka qenë në portet libiane të Bengazi-t dhe Tobruk-ut. 

/th. m. agjencia e lajmeve ‘Dyrrah”/