Durrës, 13 mars 2014– Dhjetëra nxënës të shkollës së mesme "Gjergj Kastrioti" në Durrës, në prag të 14 marsit, Ditës së Verës, kanë organizuar një panair me produkte ushqimore, të cilat ia kanë shitur me çmime modeste nxënësve. Me këtë nismë që vlen për t’u përgëzuar, ata jo vetëm kanë promovuar gatimet e tyre, por edhe i kanë shitur ato. Me paratë e fituara kanë vendosur të kontribuojnë në shtimin e hapësirave të gjelbëra në shkollën e mesme të përgjithshme ku ata mësojnë. Sipas vetë nxënësve, nisma të tilla janë mjaft të dobishme, pasi paratë e përfituara në këtë mënyrë shkojnë për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre që frekuentojnë këtë gjimnaz.

Kjo nismë sipas mësuesit të gjuhë-letërsisë, Armand Omeri, e ndërmarrë nga vetë nxënësit, ka për qëllim vazhdimin e një tradite panairesh edhe në Durrës në kuadër të Ditës së Verës që është në prag. Omeri shprehet se nisma e ndërmarrë nga nxëënsit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” është mirëpritur edhe nga bashkëmoshatarët e tyre në shkollat e tjera të mesme të qytetit. Sipas tij, kjo nismë do të vazhdojë edhe në gjimnazet e tjera dhe paratë do të përdoren për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, të cilat thuajse mungojnë në shkollat e qytetit bregdetar.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/