DURRËS, 19 shkurt 2014 –  Stafi i Qendrës së Informimit së BE-së (EUIC – EU Information Centre) vizitoi më 18 shkurt 2014 shkollën e mesme “Leonik Tomeo” në Durrës, ku u takuan me 70 nxënës (17-18 vjeç) dhe 3 mësues, njoftoi kjo qendër me seli në Tiranë. Kjo ishte hera e parë që ekipi i EUIC-së udhëton për tek shkollat e mesme jashtë Tiranës dhe ishte mundësi e mirë për të vazhduar sesionet e informimit rreth BE-së dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në BE nëpër qytete të tjera shqiptare. Menaxheri i marrëdhënieve me publikun i Qendrës së Informimit të BE-së Arben Papadhopulli bëri një paraqitje të shkurtër rreth funksionimit të qendrës, shërbimeve dhe mundësive që ofron kjo qendër në varësi të nevojave e interesave të të rinjve. Asistentja e informimit publik Marsida Gjonçaj foli mbi Bashkimin Evropian, historikun e tij, që prej krijimit deri në ditët e sotme, strukturat e BE-së si dhe institucionet më të rëndësishme të tij. Nxënëseve iu dha një informacion i përgjithshëm mbi programet e arsimit dhe trajnimit të Bashkimit Evropian, të vlefshme për grupmoshën e tyre. Njëkohësisht, nxënësit patën mundësi të marrin informacion të bollshëm mbi mundësitë për bursa studimi, që ofrohen nga vende të ndryshme anëtare të BE-së. Gjithashtu, iu dorëzuan të gjitha fletëpalosjet tematike të prodhuara nga Qendra e Informimit e BE-së mbi mjedisin, shërbimet e Qendrës së Informimit të BE-së, fletëpalosjen mbi edukimin dhe trajnimin, si dhe fletëpalosjen për të drejtat e konsumatorit. Për më tepër, nxënësve iu shpërnda edhe botimi më i fundit i Qendrës “Të udhëtosh në Evropë 2013-2014”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/