Durrës, 24 Shkurt 2014 – Në kuadër të informimit të të rinjve rreth strukturave dhe institucioneve të Bashkimit Europian, stafi i Qendrës së Informimit së BE-së vizitoi shkollën e mesme “Naim Frashëri” në Durrës, ku u takuan me rreth 70 nxënës të moshës 17-18 vjeç.
Menaxheri i marrëdhënieve me publikun i Qendrës së Informimit të BE-së, z. Arben Papadhopulli, bëri një prezantim të shkurtër rreth funksionimit të Qendrës së shërbimeve dhe mundësive që ofron ajo në varësi të nevojave e interesave të të rinjve.
Znj. Marsida Gjonçaj, Asistente e informimit publik e kësaj qendre, bëri një prezantim në lidhje me Bashkimin Evropian, historikun e tij, që prej krijimit deri në ditët e sotme, strukturat e BE-së si dhe institucionet më të rëndësishme të tij.
Nxënëseve iu dha një informacion i përgjithshëm mbi programet e edukimit dhe të trajnimit të Bashkimit Evropian, të vlefshme për grup – moshën e tyre.
Njëkohësisht, nxënësit patën mundësi të marrin informacion të bollshëm në lidhje me mundësitë për bursa studimi që ofrohen nga vende të ndryshme anëtare të BE-së. Gjithashtu, ata patën mundësi të marrin të gjitha fletëpalosjet tematike të prodhuara nga Qendra e Informimit e BE-së në lidhje me mjedisin, shërbimet e Qendrës së Informimit të BE-së, fletëpalosja mbi edukimin dhe trajnimin, si dhe fletëpalosjen për të drejtat e konsumatorit. Për më tepër, nxënësve iu shpërnda edhe botimi më i fundit i Qendrës “Të udhëtosh në Evropë 2013-2014”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





