· Inspektorati Qendror Teknik penalizoi një firmë në Rrashbull për shkak se nuk kishte respektuar standardin për përqindjen e squfurit, tjetrën në Shkallnur për mungesa në dokumentacion, pasi e kishte ndëshkuar më parë për shkelje të normave të pikës së flakërimit dhe përmbajtjes së squfurit
DURRËS, 14 korrik 2014 – Dy firma karburantesh në Durrës hanë gjoba të rënda, Inspektorati Qendror Teknik (IQT) pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë ka publikuar rezultatet e një kontrolli të ushtruar në maj 2014 për gjoba të vendosura në fund të qershorit në drejtim të respektimit të standardeve për sa i takon tregtimit të gazit dhe naftës e gazit në vendin tonë.
Inspektorët e drejtorisë së inspektimit të gazit dhe naftës në IQT kanë kryer kontrolle në pikat e tregtimit të gazit e naftës në mbarë vendin, ku janë konstatuar shkelje të ligjit dhe mosrespektim të standardeve në 8 subjekte.
Nga të dhënat rezulton se në 5 prej këtyre subjekteve është vërejtur mungesë dokumentacioni në lejimin e ushtrimit të aktivitetit të tyre, ndërsa tre subjektet e tjera janë gjobitur për shkak të mosrespektimit të standardit për sa i takon nivelit të squfurit në naftë dhe pikës së flakërimit (shih faksimilen e tabelës).
Bie në sy se nga 8 kompani të gjobitura, me 3,8 milionë lekë gjithsej, dy i takojnë rrethit të Durrësit, të cilat në total janë ndëshkuar me 1,4 milionë lekë.
Kështu, shoqëria Harizi & Co në Rrashbull u gjobit me 400 mijë lekë për mosrespektim standardi, pasi përqindja e squfurit në naftë ishte 24.56 nga 10 që përcakton norma e lejuar.
Kurse firma Damin Oil shpk në Shkallnur u gjobit me 1 000 000 lekë për mungesë dokumentacioni, gjoba rekord ndër 8 të tilla.
Po kjo e fundit është gjobitur në muajin prill 2014 me 500 mijë lekë për mosrespektim të standardeve për pikën e flakërimit (nga 55 norma, fakti 43) dhe përqindjen e squfurit (nga 10 norma, fakti 12,5).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





