“Zoti kryeministër, po sikur të të ndalojmë të pikturosh për pesë vjet, çfarë do të thuash ti?” Me këtë pyetje i drejtohen gjuetarët e Shqipërisë kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar heqjen e moratoriumin mbi gjuetinë. Në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit Kombëtar të Federatës Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim, të mbajtur në Durrës, u vendos që të përshkallëzojë më tej protesta kundër idesë së qeverisë për të shtyrë edhe me pesë vjet moratorimin.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim, Thimi Perri, në një inetrvistë për “DurrësLajm”, deklaroi se ky “është vendim absurd, i cili duhet të rishikohet nga qeveria.” “Vitin e pare pati njëfarë rezultati, por në vitin e dytë u gjuajt më shumë se kurrë. Ky është penalizim i gjuetaraëve të ndershëm,” – thotë Perri.
Gjuetarët mendojnë se qeveria duhet të rrisë kontrollet dhe investimet në këtë sektor që të mënaxhohet më mirë. “Gjuetia, nëse menaxhohet me rregull dhe investohet, ka prurje të jashtëzakonshme finaciare për vendin. Ne jemi dakord që të rriten tarifat që i paguhen shtetit, por të mos bllokohet e të mos penalizohen në hobin e tyre gjuetarët,” – shton Perri.
Pajtim Gllava, ish-kreu i Komunës së Ruzhdies, gjatë takimit hodhi akuza më të rënda në drejtim të qeverisë dhe të Policisë së Shtetit lidhur me moratoriumin. “Duan të ndalojnë gjuetarët për gjueti me qëllim që të mbrojnë parcelat e hashashit. Gjuetarët i kanë denoncuar parcelat me drogë, dhe po të zhdukin gjuetarët do të lulëzojnë parcelat e hashashit në të githë Shqipërinë,” – pohoi Gllava.
K. H.





