DURRËS, 23 shtator 2014 – Edhe në qarkun e Durrësit po dalin të dhëna se ka shenja të prekjes së bagëtive nga sëmundja e quajtur “gjuha blu”.
“Dyrrah”-u mësoi në drejtorinë rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Durrësit se janë dërguar në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) mostra, të marra në dhen dhe dhi në zonat e Krujës, Ishmit dhe Rrashbullit.
Zyrtarët durrsakë ishin tejet të rezervuar nga frika mos mediet hapin panik, duke bërë të ditur faktin se “gjuha blu” nuk paraqet asnjë rrezik për njeriun.
Ndërkohë Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, bën të ditur bën të ditur se kanë filluar pagesat për krerët e ngordhura nga sëmundja në masën 5 000 lekë për kokë; fondi në dispozicion për gjithë vendin është 10 milion lekë.
Sëmundja nuk mund të mjekohet, por parandalohet.
Dikasteri i z. Edmond Panariti u bën apel fermerëve dhe këmbëngul se groposja e kafshëve të ngordhura nga kjo sëmundja është e detyrueshme, kurse flakja e tyre përbën krim mjedisor dhe shëndetësor.
Kur kafshët e sëmura izolohen që në fillim vdekshmëria është shumë e ulët.
Ndalohen lëvizjet e tufave të prekura jashtë rrethit.
Info
Sëmundja dhe shkaktari
Gjuha blu është një sëmundje infektive jo ngjitëse virale e dhenve dhe kafshëve të tjera ruminante shtëpiake e të egra, e cila transmetohet nga mushkonjat.
Gjuha blu është sëmundje e detyrueshme për deklarim në organet veterinare lokale.
Në cilat vende është e përhapur sëmundja?
Sëmundja është e përhapur në të gjithë kontinentet, përveç Antarktidës. Në vitet
e fundit ajo është përhapur gjerësisht në Evropë. Rastet e para të sëmundjes në
vendin tonë janë raportuar në fund në vitin 1998 në rrethin e Pogradecit dhe
pastaj është përhapur pothuajse në të gjithë vendin.
Vala e fundit epizootike e gjuhës blu përkon me gushtin e vitit 2014 e në vazhdim.
Përhapja e sëmundjes
Shkaktari i sëmundjes nuk transmetohet nga një kafshë tek tjetra nga kontakti direkt; transmetimi bëhet me anë të mushkonjave.
Shfaqja e sëmundjes varet nga kushtet atmosferike, prania e mushkonjave dhe dendësia e dhenve, dhive dhe gjedhit.
Kushtet e përshtatshme për mushkonjat janë temperaturat e ngrohta dhe lagështia. Aktiviteti më i madh i tyre është në mëngjes, afër darkës dhe sidomos pas reshjeve.
/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





